Zv.drejtori i Doganave Mustafë Dauti priti në takim zyrtar kreun e Doganave Shqiptare Besmir Bejën

Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut zoti Mustafë Dauti priti drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Republikës së Shqipërisë, z. Besmir Beja, në një takim i cili iu kushtua kryesisht thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore.

Në fokus të bisedimeve ishte zbatimi i sistemit “One Stop Shop”, në të gjitha pikat e përbashkëta kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. “Po ndërmarrim hapa konkretë për shtrirjen e këtij sistemi në të gjitha pikat kufitare, një zhvillim me rëndësi të veçantë që do të mundësojë procedura më të shpejta, ulje të kohës së pritjes, lehtësim të qarkullimit të qytetarëve si dhe rritje të efikasitetit të kontrolleve kufitare”, ka thene pas takimit zoti Dauti.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të procedurave doganore, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një kufiri më efikas, më të sigurt dhe më funksional, në përputhje me standardet evropiane. Shpreh mirënjohjen time për Misionin e OSBE-së për organizimin e këtij takimi dhe për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe modernizimin e administratave doganore. Kontributi i OSBE-së në promovimin e dialogut institucional dhe zbatimin e reformave konkrete është një vlerë e shtuar për realizimin me sukses të këtij projekti.
Jam i bindur se me përkushtimin e përbashkët këtë projekt do ta realizojmë me sukses”, ka deklaruar zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut zoti Mustafë Dauti.