Zuckerberg merr vendim: Trumpit do t’i bllokohet Facebook dhe Instagram për një kohë të pacaktuar

Platformat Facebook dhe Instagram do të zgjasin ndalesën ndaj llogarive të presidentit aktual amerikan, Donald Trump për të paktën edhe dy javë të tjera, derisa të përfundojë procesi i transferimit të pushtetit, tha shefi ekzekutiv i këtyre kompanive, Mark Zuckerberg.

Zuckerberg nuk e përjashtoi mundësinë që llogaritë e Trumpit të mbyllen përgjithmonë.

“Ngjarjet shokuese në 24 orët e fundit, demonstrojnë se presidenti Donald Trump ka për qëllim që ta shfrytëzojë kohën që i ka mbetur deri në fund të mandatit, për të minuar transferimin paqësor dhe ligjor të pushtetit, te pasaardhësi i tij Joe Biden”, tha shefi i Facebook-ut, Zuckerberg, i cili ka në pronësi edhe platformën, Instagram.

Twitter, Facebook dhe Snap më 6 janar, mbyllën përkohësisht llogaritë e Trumpit, për shkak se ai bëri pretendime të pabazuara lidhur me mashtrime në zgjedhjet presidenciale, teksa mbështetësit e tij, sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

Kjo ndalesë u zgjat pasi Trumpi përdori “platformat tona për të nxitur dhunë ndaj një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike”, u shpreh Zuckerberg.

“Ne besojmë se rreziqet janë thjesht shumë të larta, nëse ne lejojmë që presidenti të vazhdojë të përdorë shërbimet tona gjatë kësaj periudhe”, tha Zuckerberg në një postim në Facebook më 7 janar.