Zonja Sekretare që kurrë nuk na braktisi

Shkruan: Blerim Shala

Kjo është Lufta e Madeleine-t.

Në ato ditët dhe javët e para të Fushatës ajrore të Aleancës Veri-Atlantike për shpëtimin e Kosovës dhe popullit të saj, në pranverën e vitit 1999, kur nuk vërehej asnjë shenjë e lëshimit pe nga Slobodan Milošević-i dhe pushteti i tij, në këtë mënyrë, një mori diplomatësh dhe politikanësh të Perëndimit e kishin emërtuar Aksionin e Paktit NATO.

Atëbotë, ky vlerësim që kjo fushatë e Aleancës është ‘Luftë e Madelein-it’, ishte njëkohësisht shumë i sakt, por edhe ishte një lloj paragjykimi ndaj këmbënguljes politike dhe ushtarake të Zonjës Sekretare (të parës në historinë e Amerikës), Madeleine Albright, që nëse duhet, edhe Forcat e NATO-s duhet të përdoren për ta imponuar paqen në Kosovës dhe për t’i ndalur tmerret e shkaktuara nga Serbia e Milošević-it.

Dyshuesit në këtë Fushatë të NATO-s, që sa kalonte koha shtoheshin, në marsin, prillin e atij viti, synonin që dështimin eventual të këtij veprimi që koincidoi me pikën më të lartë të Fuqisë së Perëndimit pas rënies së Murit të Berlinit (në vitin 1989), t’ia atribuojnë vetëm një politikani, vetëm një njeriu, Zonjës Albright.

Por kur kjo Luftë u fitua, në qershorin e vitit 1999, pakkush përmendi që epilogu i saj, ishte Lufta e fituar nga Zonja Albright.

Albright, realisht, ishte një diplomate atipike, e veçantë, që dyzonte një dituri të jashtëzakonshme për politikën dhe për rolin e Amerikës e Perëndimit në Botë, me një dimension të moralit, i cili të thuash ishte i munguar për decenie me radhë në Washington dhe gjetiu.

Në atë përplasjen e vazhdueshme klasike amerikane në diplomaci mes të idealistëve dhe realistëve, Albright objektivisht ishte edhe idealiste edhe realiste.

Ajo nuk e kuptonte dot, dhe këtë ia kishte thënë edhe ushtarakëve më të lartë amerikan, në prani të Presidentit Clinton, pse Amerika nuk mund të përdor forcën ushatarake për qëllime të larta morale në Botë.

Ajo poashtu, nuk mund të duronte më (pasiqë u bë Sekretare e Shtetit në vitin 1997, teksa në mandatin e parë të Presidentit Clinton kishte shërbyer si Ambasadore e SHBA-së në OKB, në New York), që Perëndimi të mos përdorte gjithë atë fuqi politike dhe diplomatike për ta bindur një politikan të Ballkanit, çfarë ishte Slobodan Milošević, që të heq dorë prej politikës që pati lënë prapra varreza masive në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë. Për këtë shkak, në njërin nga Takimet e Grupit të Kontaktit, në vitin 1998, në vitin e parë të Luftës në Kosovë, ajo do t’u drejtohej homologëve të vet teksa disa prej tyre shfaqnin hezitimet për të ashpërsuar qasjen ndaj Milošević-it, me këto fjalë: ‘A po mendoni që jemi në Mynih’ (aludimet e qarta për dorëzimin e Francës dhe të Britanisë së Madhe para Adolf Hitlerit, në Konferencën e Mynihut të vitit 1938).

Ajo, më në fund, do të bënte ç’mos, në vitin 2000, që të ndërrohej regjimi i Milošević-it, me një opozitë që atëbotë vlerësohej si demokratike (të prirë, realisht, nga Zoran Đinđić, Kryeministri i ardhshëm i Serbisë i cili do të vritej në vitin 2003), duke i thënë miqve të saj më të ngushtë: ‘Nuk dua të shkoj (të përfundonte mandatin, në janarin e vitit 2001), para se të shkoi ai…’.

Albright nuk ka qenë vetëm në këtë ndërmarrjen e madhe të Perëndimit, për t’i krijuar rrethanat që Kosova të jetë e lirë, që ta ndërtojë demokracinë, të ketë zgjedhje të lira, të ketë President, Qeveri dhe Kuvend, të vendos, më në fund, vet për fatin e saj në bisedimet e udhëhequra nga Presidenti Ahtisaari (2005, 2007), të cilat u konkluduan me pavarësinë e Kosovës.

Natyrisht, nuk do të kishte çfarë të bënte as Albright, as askush tjetër në Amerikë dhe në Evropë, po të mos ishte një Lëvizje gjithpërfshirëse politike për pavarësinë e Kosovës që nga fillimvitet e nëntëdhjeta, dhe po të mos kishte edhe gatishmëri për të luftuar dhe për tu sakrifikuar për Kosovën në vitet 1998, 1999.

Në kulminacionin e bisedimeve të rënda në Konferencën Paqësore të Rambouilletit, në atë kapitullin e parë të saj, në shkurtin e vitit 1999, Zonja Sekretare Albright qëndroi disa ditë në këtë Kështjellë mesjetare franceze për ta bindur Delegacionin e Kosovës që ta pranojë Marrëveshjen e Propozuar nga Grupi i Kontaktit.

Ajo e pati thënë pa kurfarë mëdyshjeje, që nënshkrimi i Delegacionit të Kosovës në Marrëveshjen e Rambouilletit, nëse Serbia nuk e pranon ate, do ta ketë domethënien e fillimit të Fushatës së Aleancës Veri-Atlantike kundër Serbisë.

Kështu edhe ndodhi, me 24 mars të vitit 1999.

Zonja Sekretare pati porositur anëtarët e Delegacionit të Kosovës që nëse ata do ta përkrahin Marrëveshjen e Rambouilletit, ‘Amerika kurrë nuk do të ju lë vetëm…’.

Ishte kjo një fjali-garancë për këtë Delegacion, më pas, për të gjithë popullin e Kosovës.

Kështu edhe ndodhi, prej atij shkurti të vitit 1999, e deri më sot.

Kosova nuk ka mik më të madh se sa Amerikën. Dhe roli i Zonjës Sekretare Albright për krijimin e kësaj miqëse ka qenë vendimtar.

Kjo është një trashëgimi e madhe të cilën e gëzon populli i Kosovës.