Zjarret në Australi, 113 lloje të gjallesave kanë nevojë për ndihmë urgjente

Qeveria e Australisë ka njoftuar se 113 lloje të gjallesave kanë nevojë për ndihmë urgjente pasi kanë humbur më shumë se 30 për qind të zonave ushqimore në zjarret pyjore që vazhdojnë prej rreth 6 muajsh.

Në raportin mbi jetën e egër dhe speciet e kërcënuara nga zjarret pyjore të përgatitur nga Ministria Federale e Bujqësisë u publikua lista e përkohshme e kafshëve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Sipas raportit, krahas koalave dhe kengurëve në mesin e gjallesave që kanë më shumë nevojë janë edhe llojet e zogjve, peshqve dhe bretkosave.

“Zjarret nuk kanë eliminuar plotësisht asnjë prej llojeve të gjallesave. Pothuajse 113 lloje të gjallesave në listë kanë nevojë për ndihmë urgjente për shkak se kanë humbur më shumë se 30 për qind të zonave ushqimore”, thuhet në raport.

Lista e përkohshme e përgatitur nga ekspertë të mjedisit përfshin 13 lloje të zogjve, 19 gjitarëve, 20 zvarranikëve, 17 lloje bretkosash, 5 invertebrorë, 22 karavidhe të ujit të ëmbël dhe 17 lloje peshqish.

Ekspertët thonë se përballë rrezikut pothuajse të zhdukjes së plotë ndodhen disa lloje gjallesash që kanë humbur pothuajse plotësisht zonat e jetesës. Në mesin e këtyre llojeve janë breshka Pugh’s, hardhuca e ujit Blue Mountains dhe miu kongoro.

Ministrja e Mjedisit, Sussan Ley tha se raporti ka mbetur i kufizuar për shkak të zjarreve që vazhdojnë në disa pjesë dhe se të dhënat e detajuara do të jepen në një përditësim të mëtejshëm.

“Pavarësisht se ka disa pamje që tregojnë se kafshët e kërcënuara në zonat e prekura nga zjarri janë në situatë të mirë, më duhet të theksoj se ende nuk është e sigurtë hyrja në shumë rajone për të bërë vlerësimet në vend dhe në detaje”, tha ajo.

Fondacioni për mbrojtjen e jetës natyrore në Asutrali (WWF), ka parashikuar se në mënyrë të drejtpërdrejt ose indirekte nga zjarret që vazhdojnë prej muajsh në vend mund të kenë ngordhur 1.25 miliardë gjallesa.

Zjarret shpërthyen në shtator 2019 në Uellsin e Ri Jugor dhe më pas u bënë aktivë në pyjet dhe pjesët e shkurreve në rajonet Queensland, Victoria dhe Australinë e Jugut. Si pasojë e zjarreve të cilat herë-herë u përhapën edhe në vendbanime humbën jetën 33 persona ndërsa u dogj një hapësirë prej 11 milionë hektarësh, pjesa më e madhe në Uellsin e Ri Jugor dhe u dogjën më shumë se 3.000 shtëpi.