Dhjetëra kafshë kanë ngordhur pasi një zjarr ka shpërthyer në një strehimore majmunësh brenda Kopshtit Zoologjik në Krefeld të Gjermanisë.
Zyrtarët e kopshtit thanë në një deklaratë se strehimorja e majmunëve është djegur plotësisht.
“Frika jonë më e madhe u bë realitet. Nuk ka asnjë kafshë të mbijetuar në strehimoren e majmunëve”, thuhet në deklaratë, në të cilën njoftohet se shkaqet e zjarret ende janë të panjohura dhe se rasti është duke u hetuar.
Kopshti i gorilave në afërsi ka ngelur i padëmtuar nga zjarri, ndërsa gorila me emrin Kidogo dhe familja e tij janë në gjendje të mirë, thuhet më tej.
Kopshti gjatë ditës së sotme do të jetë i mbyllur për vizitorët.
Sipas mediave lokale, si pasojë e zjarrit kanë ngordhur mbi 30 kafshë.