SHBA dërgon trupa shtesë në Irak për të mbrojtur ambasadën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se ka vendosur të dërgojë menjëherë një batalion të Divizionit të 82-të Ajror në Irak pas protestave të dhunshme në Ambasadën e SHBA-së në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

“Nën drejtimin e Komandantit të Përgjithshëm, Presidentit të SHBA-së, unë kam autorizuar vendosjen e një batalioni këmbësorie nga Forca e Reagimit të Menjëhershëm (IRF) të Divizionit të 82-të Ajror në zonën e operacioneve të CENTCOM si reagim ndaj ngjarjeve të fundit në Irak”, tha Esper të martën në Twitter.

“Afërsisht 750 ushtarë do të vendosen menjëherë në rajon dhe forca shtesë nga IRF janë të përgatitura për t’u vendosur brenda disa ditëve në vijim. Ky dislokim është një veprim i duhur dhe parandalues ​​i ndërmarrë si reagim ndaj rritjes së kërcënimit ndaj personelit dhe objekteve amerikane, siç është ajo që e dëshmuam sot në Bagdad. SHBA do t’i mbrojë njerëzit dhe interesat tona kudo që gjenden në gjithë botën”, shtoi shefi i mbrojtjes amerikane.

Dje gjatë ditës, mijëra irakianë sulmuan kompleksin e ambasadës amerikane, duke protestuar kundër sulmeve ajrore të fundjavës në Irak dhe Siri kundër milicisë Kataib Hezbollah që la të paktën 25 luftëtarë të vrarë.

Sulmet ajrore ishin kundërpërgjigje ndaj një sulmi me raketa të premten në një bazë ushtarake amerikane në Kirkuk, për të cilin u fajësua Kataib Hezbollah, i cili është pjesë e grupit të mbështetur nga Irani Hashd al-Shaabi.

Nga sulmi i së premtes jetën humbi një kontraktor amerikan, ndërsa u plagosën katër shërbyes të forcave të SHBA-së.

Kryeministri irakian Adil Abdul-Mahdi tha se Bagdadi i dënon sulmet ajrore ndaj elementeve ushtarake irakiane, por dje u bëri thirrje protestuesve të largohen nga ambasada.

“Forcat irakiane të sigurisë do t’i përgjigjen çdo akti agresiviteti ose ngacmimi kundër ambasadave të huaja në Irak, dhe ata që janë përgjegjës do të përballen me forcën e plotë të ligjit”, tha Abdul-Mahdi në Twitter.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se Irani do të paguajë një çmim të rëndë për çdo sulm ndaj ambasadës amerikane në Bagdad.