Zinedine Zidane bëhet favoriti kryesor për të zëvendësuar Tuchel tek Bayerni

Bayern Munich raportohet se e kanë bërë ish-trajnerin e Real Madridit, Zinedine Zidane, objektivin e tyre kryesor për të zëvendësuar në stol Thomas Tuchel.

Tuchel e mbylli sezonin 2022/2023 duke u kurorëzuar kampion në Bundesliga, por në sezonin e tij të parë të plotë në krye, ish-trajneri i Chelseat duket se do ta mbyll vitin pa asnjë trofe.

Pas dy humbjeve rresht ndaj Bayer Leverkusenit dhe Bochumit, Bayerni tani janë tetë pikë mbrapa Leverkusenit në renditjen tabelare, që do të thotë se seria prej 11 titujsh radhazi në elitën e futbollit gjerman po shkon drejt fundit.

Shefi i Bayernit, Jan-Christian Dreesen ka insistuar se pozita e Tuchel nuk është në rrezik, por gjermani me shumë mundësi nuk do të ‘mbijetoj’ më rast se bavarezët e mbyllin sezonin me asnjë trofe të fituar.

Sipas mediumit italian Corriere dello Sport, Zidane është momentalisht prioriteti kryesor për Bayernin, me drejtuesit e klubit që raportohet se kanë nisur kontaktet e para me kampin e francezit.

Zidane po i afrohet një periudhe trevjeçare pa një punë në futboll, pasi dha dorëheqje nga posti i trajnerit tek Real Madridi për herë të dytë në fund të sezonit 2020/2021, dhe që nga atëherë ishte thënë se ai do të merrte ‘frenat’ e kombëtares së Francës.

Sidoqoftë, duke marrë parasysh faktin që Didier Deschamps ka rinovuar me Francën deri në 2026, kjo mund të bëjë që Zidane të vihet në kërkim të një mundësie të re sa më shpejt që të jetë e mundur.

Për këtë arsye është shumë e mundur që kalimi i tij tek Bayerni të bëhet realitet në rast se gjërat nuk ndryshojnë në kampin gjerman.