Zinchenko për humbjen ndaj Uellsit: Secili dha gjithçka në këtë ndeshje

Oleksandr Zinchenko ka folur pas humbjes në finalen e ‘Play Off’ ndaj Uellsit.

Ukraina po kalon në një periudhë të vështirë pas agresionit rus ndaj tyre, ndërsa ata shpresonin që të siguronin një vend në botërorin Katar 2022, por nuk ndodhi.

Kjo pasi, Uellsi arriti të triumfojë me rezultat të ngushtë 1:0, kështu duke siguruar një vend për Kupën e Botës.

Pas ndeshjes lojtari i Man City, Zinchenko tha se lojtarët e Ukrainës dhanë gjithçka për të mposhtur Uellsin dhe i kërkoi kombit të tij të shkatërruar nga lufta të qëndrojnë së bashku.

Ai u shfaq me zemër të thyer pas disfatës së ngushtë, por theksoi se situata shkon përtej futbollit.

“Secili prej nesh dha gjithçka në këtë ndeshje, lamë gjithçka në fushë. Në përgjithësi nuk mendoj se e meritonim humbjen, por ky është futbolli, ndodh.

Futbolli ka të bëjë me emocionet, ne mund të sjellim emocione të mëdha për tifozët tanë, por fatkeqësisht sot nuk morëm rezultatin që dëshironim.

Të gjithë duhet të vazhdojnë të luftojnë, si futbollistë duhet të përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë që mundemi”, ishin fjalët e Zinchenkos përcjell lajmi.net.

Ukrainasi gjithashtu kërkoi paqe, pasi sipas tij ajo që i ndodhë shtetit të tij mund t`i ndodhë edhe ndonjë vendi tjetër.

“Të gjithë duhet të jetojnë në paqe dhe ne duhet ta ndalojmë luftën krejtësisht. Sot është Ukraina, por kush e di nesër? Ne duhet të qëndrojmë së bashku”, përfundoi lojtari.

Ukraina me humbjen ndaj Uellsit nuk arriti të sigurojë biletën e fundit për Kupën e Botës, Katar 2022.