Deputeti i BDI-së, Arben Zyberi, ka refuzuar të përgjigjet nëse do të votojë për rizgjdhjen e Venko Filipçes në postin e ministrit të Shëndetësisë, shkruan gazeta LAJM. Ky i fundit, dy muaj më parë e shkarkoi nga detyra drejtorin e Qendrës për Shëndet Publik në Shkup, Arben Ziberi dhe në vendin e tij e caktoi epidemiologun Aleksandar Stojanov. I pyetur nëse do të votojë qeverinë e re në të cilën Filipçe do të jetë sërish ministër i Shëndetësisë, Ziberi nuk dha përgjigje të prerë, duke thënë se për një gjë të tillë do të prononcohet kur të vijë koha.
Gazetari: A do ta votoni Venko Filipçen për ministër të Shëndetësisë?
Arben Ziberi: Kur do të vijë koha për ta votuar qeverinë do të prononcohem.
Emri i Ziberit ditëve të fundit u lakua shumë nëpër portale dhe rrjetet sociale edhe si kundërshtar për emërimin e Artan Grubit dhe Bujar Osmani në qeverinë e re të Zaevit. Megjithatë, një ditë më parë vetë ai tha se, propozimet e BDI-së për ministra nuk do të ndryshojnë, duke lënë të kuptohet se do të votonte Bujar Osmanin për ministër të Jashtëm dhe Artan Grubin për ministër të Sistemit Politik. Për qeverinë e re do të votojë edhe Izet Mexhiti, i cili përmendej si kundërshtari më i madh i Grubit dhe Osmanit. Kështu, duket se përplasjes para dhe pas zgjedhjeve janë tejkaluar, deputetët ‘rebel’ të BDI-së e kanë lëshuar dorën dhe me votën e tyre do të mbështesin edhe “kundërshtarët” për tu bërë ministra./Gazeta LAJM




