Sot, në zyrat e Aleancës për Shqiptarët u realizua takim në mes liderit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, dhe shefit të misionit të OSBE-së në Maqedoni, ambasadorit Klemens Koja.
Në takim kryetari Sela shprehu shqetësimin e tij për mos përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve etnike në jetën politike, sociale dhe kulturore në vend. Sa i përket kësaj teme, ai nga afër i shpjegoi ambasadorit Koja të gjitha përpjekjet e Aleancës si parti opozitare që ajo vazhdimisht i bën me qëllim të zbehjes së këtyre dallimeve etnike.
Kryetari Sela, gjithashtu theksoi edhe nevojën e pakontestueshme për reforma në gjyqësor, arsim, lirinë e mediave dhe arritjen e plotë të sundimit të ligjit për ta ulur shkallën e krimit dhe korrupsionit.
Si çështje shumë e ndjeshme në vend u potencua edhe migrimi, për të cilën kryetari Sela theksoi nevojën të ndermirën masa urgjente për parandalimin e tij dhe angazhimin e fuqisë rinore për t’iu përgjigjur nevojave reale të tyre.
Takimi u vlerësua si shumë konstruktiv nga të dyja palët, duke theksuar nevojën që takime të tilla të ketë edhe në të ardhmen.