Ziadin Sela për EURACTIV: Gjysmë të vërtetat dhe standardet e dyfishta në politikën gjuhësore të Shkupit

Në një shkrim autorial për median prestigjioze evropiane EURACTIV (lidhja), Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka komentuar implikimet e deklaratës së Presidentit Stevo Pendarovski në lidhje me kushtëzimet bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të negociatave të ardhshme për anëtarësimin e vendit në BE.

“Sipas Ziadin Selës, Presidenti i Maqedonisë së Veriut nuk ka të drejtë të deklarojë se vendi “nuk ka nevojë për BE-në” nëse duhet të përmbushen kushtet e Bullgarisë në lidhje me gjuhën maqedone, sepse Maqedonia e Veriut bën saktësisht të njëjtën gjë ndaj qytetarëve të vetë shqiptarë.

Duke theksuar se kushtet e Republikës së Bullgarisë pasqyrojnë qëndrimin afatgjatë të Sofjes sipas të cilit maqedonishtja shihet si dialekt i bullgarishtes dhe identiteti kombëtar maqedonas i veçantë nga ai bullgar si i dyshimtë, Sela shkruan se debati i shkaktuar në Maqedoninë e Veriut dhe në BE është problematik dhe i painformuar mirë në disa aspekte.

Sela thotë se reagimi emocional i Presidentit Pendarovski është i kuptueshëm nga këndvështrimi i një politikani, por se ai është shumë i papërgjegjshëm në aspektin e interesit shtetëror dhe i pasinqertë ndaj qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Sipas Selës, Presidenti shprehet i hutuar nga qëndrimi bullgar ndërsa ai po harron se është kreu i një shteti që mohon po të njëjtën të drejtë themelore ndaj një të tretës së popullsisë së vetë në një mënyrë edhe më brutale, me një kushtetutë anakronike dhe antievropiane që e redukton gjuhën shqipe në një gjuhë që flitet nga së paku 20% e popullsisë dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja.

Duke iu drejtuar Republikës së Bullgarisë dhe Bashkimit Evropian, Sela kujton se kërkesa bullgare për t’iu referuar vetëm “gjuhës zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut është e painformuar sepse ajo injoron faktin se Maqedonia e Veriut ka dy gjuhë zyrtare: gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe, si brenda ashtu edhe në marrëdhëniet e jashtme. Bazuar në realitetin kushtetues të vendit, Sela thotë se tani është koha që që kjo gjë të njihet zyrtarisht edhe nga BE dhe vendet e saj anëtare.

Duke i zgjatur dorën e bashkëpunimit Presidentit Pendarovski, Sela bën thirrje për angazhimin e të gjithë politikanëve mendje hapur, maqedonas dhe shqiptarë, për të ndërruar këtë kushtetutë retrograde dhe për të gjetur një gjuhë të përbashkët me fqinjët bullgarë në kuadër të komisioneve të përbashkëta për zbatimin e traktatit të miqësisë midis dy vendeve, i cili duhet të jetë një shtytje për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, dhe jo e kundërta.

Në fund, Sela thekson se shumëgjuhësia është një nga vlerat themelore të BE-së dhe se gjuhët duhet të bashkojnë njerëzit dhe të forcojnë mirëkuptimin ndërkulturor, por assesi të krijojnë bllokada të panevojshme të kthyera nga e kaluara. Sipas tij , konfirmimi i statusit të gjuhës maqedone në BE dhe ai i shqipes si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në BE, është një rast i përsosur për demonstrimin e kontributit thelbësor që sjell diversiteti gjuhësor në projektin evropian, i cili është ndërtuar mbi moton “të bashkuar në diversitet”.