Zhvillimet në dialog dhe kërkesat për formim të Asociacionit – Kurti sot përballet me deputetët

Zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kanë shtyrë deputetët e Kuvendit që të ftojnë në debat paralamentar kryeministrin Albin Kurti.

Seanca plenare e cila nis në orën 12:00 ka vetëm këtë pikë të rendit të ditës “Debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Kjo seancë është thirrur nga deputetët e PDK-së. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi gjatë seancës së kaluar të Kuvendit, tha se si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, kanë kërkuar edhe zyrtarisht një seancë plenare të veçantë, në mënyrë që me kryeministrin Kurti të debatojmë hapur për të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun Kosovë-Serbi.

“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në twitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti, ka treguar gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive e të zbatohet pas marrëveshjes finale.

E para: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. E dyta: Asociacioni nuk mund të jetë mono etnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimi horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje, kreu 5”, tha Kurti.

Ai më pas kërkoi që të drejtat e pakicave të bëhen në parimin e reciprocitetit, duke nënkuptuar këtu që çfarëdo e drejte e serbëve në Kosovë të jetë edhe për shqiptarët në Serbi.

E treta: Të drejtat e pakicave kombëtare, dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit mes dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, tha Kurti duke numëruar kushtin e tretë.

Po ashtu, si kusht përmendi shuarjen e strukturave ilegale në veri dhe Serbia të pranojë kartën e OKB për raportet ndërshtetërore si dhe të mos pengojë aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

E katërta: Paravendosjes se Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjithë armëve ilegale. E pesta: Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi ti ketë pranuar parimet e kartës së OKB në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës dhe E gjashta: Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara të pesë shtete anëtare të BE dhe tek të tjerat për mos pranimin e aplikimin të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2019”, tha Kurti.