Zhvillime në hapsirën kozmike

Kina ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në hapësirë gjatë vitit 2024, veçanërisht për sa i përket ëndrrës për zbritjen e astronautëve kinezë në Hënë brenda vitit 2030.

Më 3 maj të këtij viti, Kina lëshoi me sukses sondën e vet të fundit hënore, “Chang’e-6”, me synimin e sjelljes së 2 kilogramëve mostra nga ana e pasme e Hënës, për herë të parë në botë. Historia u shkrua më 25 qershor, kur pjesa e kthimit e “Chang’e-6” zbriti në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës Veriore.

Mostrat, 1 935.3 gramë të rënda, i kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë më shumë mistere të satelitit të vetëm natyror të planetit tonë. Studimi i fundit që u botua më 19 dhjetor në revistën shkencore “Nature”, tregoi se forca magnetike e Hënës përjetoi një ringjallje të papritur para 2.8 miliardë vjetësh, pas një rënieje të ndjeshme rreth 3.1 miliardë vjet më parë.

Përveç planit të zbritjes në Hënë deri më 2030, Kina do të ndërtojë gjithashtu një stacion kërkimor ndërkombëtar hënor me një rrjet që lidh polin jugor, ekuatorin dhe anën e pasme të Hënës.

Stacioni kërkimor ndërkombëtar hënor, një strukturë eksperimentale shkencore e përbërë nga seksione në sipërfaqen e Hënës e në orbitën e saj, si edhe në Tokë, parashikohet të ndërtohet në dy faza: një model bazë që do të përurohet më 2035 në polin jugor hënor, si edhe një model i zgjeruar që do të ndërtohet rreth vitit 2050