Zheng: Të ruajmë paqen dhe sigurinë botërore!

Në ceremoninë e hapjes së Forumit të 11-të Botëror të Paqes të zhvilluar në Universitetin Tsinghua në Pekin të dielën, zëvendëspresidenti kinez Han Zheng u bëri thirrje të gjitha palëve të ruajnë paqen dhe sigurinë botërore.

Duke theksuar se modernizimi kinez ndjek rrugën e zhvillimit paqësor, Han tha se Kina do të mbrojë, ndërtojë dhe mbështesë në mënyrë të palëkundur paqen botërore.

 

Nënkryetari i shtetit i Kinës theksoi se, përballë ndryshimeve të thella në situatën ndërkombëtare, Kina ka paraqitur një sërë nismash madhore, si Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global, duke pasuruar vazhdimisht përmbajtjen dhe praktikën e konceptit të ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe duke i dhënë energji të fortë pozitive paqes dhe zhvillimit botëror.

Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për të mbrojtur paqen dhe sigurinë botërore, për të kërkuar zhvillimin dhe begatinë globale, për të nxitur shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve dhe për të ndarë frytet e zhvillimit, sigurisë dhe qytetërimit njerëzor, tha Han.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zëvendëspresidenti kinez bëri katër sugjerime.

Së pari, ai bëri thirrje për ruajtjen e pavarësisë dhe respektit të ndërsjellë, duke mbështetur të gjitha përpjekjet për të eksploruar në mënyrë të pavarur rrugën e zhvillimit demokratik dhe duke respektuar eksplorimin e rrugës së realizimit të vlerave nga popujt e vendeve të ndryshme.

Së dyti, Han Zheng theksoi zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve. Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht vendet e mëdha me ndikim, duhet të mbajnë një qëndrim të qartë për të promovuar bisedimet e paqes dhe ndërmjetësimin sipas nevojave dhe aspiratave të vendeve përkatëse, në mënyrë që të forcohet besimi i ndërsjellë, të zgjidhen mosmarrëveshjet dhe të promovohet siguria nëpërmjet dialogut.

Së treti, ai kërkoi mbështetjen e vendosur dhe praktikimin e multilateralizmit për ta bërë qeverisjen globale më të drejtë dhe më të barabartë.

Së katërti, Han u bëri thirrje të gjitha palëve të promovojnë përfshirjen dhe përfitimin  e ndërsjellë. “Ne duhet të punojmë së bashku për t’u futur në një fazë të re të zhvillimit global të balancuar, të koordinuar dhe gjithëpërfshirës, të promovojmë bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin, të përmirësojmë mirëqenien e popujve të vendeve pjesëmarrëse dhe të konsolidojmë themelet sociale për paqen botërore,” vuri në dukje ai.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Me temën “Stabilizimi i një bote të paqëndrueshme nëpërmjet konsensusit dhe bashkëpunimit”, forumi i këtij viti ka katër seanca plenare dhe 19 panele.

Temat përfshijnë formimin e një kornize të re për marrëdhënie të qëndrueshme Kinë-ShBA, sigurinë në Azi-Paqësor, nxitjen e besimit të ndërsjellë midis Kinës dhe Evropës, paqen në Lindjen e Mesme dhe bashkëpunimin për nismën “Një brez, një rrugë”.

Më shumë se 400 veta, përfshirë ish-personalitete politike të huaja, të dërguar diplomatikë nga vende të ndryshme në Kinë, ekspertë e studiues, morën pjesë në këtë veprimtari.