Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar konfirmoi se muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për zgjerimin e BE-së, derisa për këtë qëllim Brukseli po punon në tre shtylla, edhe atë: Komisioni Evropian në fillim të shkurtit do ta prezantojë metodologjinë e re të zgjerimit, do të punohet që negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të hapen përpara Samitit të Zagrebit në maj, ndërsa në Samitin e Zagrebit do të shpaloset një plan për zhvillim ekonomik të rajonit.
Zhbogar kështu kërkoi që edhe Shkupi të punojë në tre shtylla në mënyrë që hapja e negociatave të jetë më e lehtë, edhe atë: Kuvendi të miratojë ligjet e mbetura në procedurë parlamentare e që janë të rëndësishme si ai për Prokurorinë Publike, të zhvillohet bashkëpunimi mes të gjitha partive politike dhe të ulen tensionet mes partive në lidhje me zgjedhjet e prillit. Zhbogar nuk la pa kritikuar partitë të cilat kanë filluar fushatën që nga dita kur u shpallën zgjedhjet, ndonëse ajo ditë nuk shënonte fillimin zyrtar të fushatës parazgjedhore.
Ambasadorja kroate, Nives Tiganj duke shpalosur programin e presidencës kroate me BE-në në Komisionin për Çështje Evropiane tha se një ndër prioritet kryesore do të jetë hapja e negociatave për anëtarësim me shtetet e Evropës Juglindore, duke theksuar “Kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut, pozicioni ynë është i qartë: gabimi i tetorit të vitit të kaluar duhet përmirësuar dhe negociatat për anëtarësim duhet të fillojnë”.