Zgjedhjet shtyhen në dhjetor, VMRO do të përjashtohet nga qeveria?

Në rast se partitë nuk arrijnë të dakorodohen për zgjedhje deri në fund të muajit qershor, atëherë LSDM do të kërkojë që ato të shtyhen në terminin e rregullt në dhjetor, raporton “360 Gradë”. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev e ka biseduar këtë variant me disa bashkëpunëtorë të tij të afërt në parti dhe ka marë përkrahjen e tyre. Në rast të tillë, LSDM do të kërkojë që të kthehet qeveria politike, që do të thotë përjashtim të VMRO-DPMNE-së nga qeveria aktuale teknike, e cila funksionon sipas modelit të Përzhinës. Aktualisht VMRO-DPMNE ka ministrin e brendshëm dhe disa zëvendës ministra teknikë.
Në këtë rast, burime të Gazetës Lajm thonë se ka gjasa që Zaev të rikthehet në postin e kryeministrit, deri 100 ditë para zgjedhjeve, kur do të duhet të formohet sërish qeveri me modelin e Përzhinës edhe pse më të mëdha janë gjasat që Spasovski të vazhdojë të mbetet kryeministër.

Duke pasur parasysh se Qeevria propozoi vazhdim edhe për një muaj të gjendjes së jashtëzakonshme, të vogla janë gjasat që zgjedhjet të mbahen në fillim të qershorit edhe pse LSDM është e gatshme të pranojë ato të mbahen edhe në fund të qershorit.