Zgjedhjet në BDI: Mungesë demokracie dhe “milionerë” në kreun e Degëve (VIDEO)

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Zgjedhjet brendapartiake në BDI dëshmuan dy gjëra të pakontestueshme: Mungesën e madhe e demokracisë, veprime skandaloze jostatutare dhe avancimin e njerëzve ose funksionarëve super të pasur, në kreun e Degëve partiake. Për t’iu qasur drejt dhe në mënyrë të argumentuar, po i shpalosim disa fakte në mënyrë telegrafike…

E para, e keni vërejtur se: Sa më shumë Ali Ahmeti flet kinse për “luftë kundër korrupsionit”, aq më shumë raste korrupsioni i “lindin” brenda partisë. Mjafton t’ua sjelli në memoroje skandalet e fundit për të cilët dyshohet se janë të “infektuar” nga disa dhjetra miliona për blerjen e Qendrave Tregtare, si “rasti Soravia”, pastaj projektet milionëshe për fotovolltatikë ku dyshohet se është implikuar poashtu familja Ahmeti, Korridori 8, ku dyshohet për shuma të mëdha qindramilionëshe etj.

E dyta, sa më shumë Ali Ahmeti e përmend demokracinë brenda BDI-së, aq më shumë dëshmohet në vepër, mungesa e madhe e demokracisë dhe transparencës në këtë parti. Nëse gjykojmë sipas deklaratës së Izet Mexhiti, i cili deri dje ishte kryetar i Degës së Cairit, ai procesin zgjedhor apriori e quajti “jostatutar” dhe “të kurdisur”, gjë që në njëfarë mënyrë edhe ndodhi(!) Pikërisht për shkak të këtyre vërejtjeve ai deklaroi se “Grupi i zjarrit”, nuk do të merrë pjesë në proces zgjedhur.

Të paktën po gjykojmë në bazë të ankesave të anëtarësisë në BDI, si rasti i Kumanovës, por edhe në bazë të disa të dhënave të cilat njeriu i dytë i Lëvizjes Besa Adnan Azizi, i shpalosi në një shkrim të tijin.

Në Kumanovë, në bazë të reagimit të kundërkandidatit për kryetar Dege, Fitor Jakupi, procesin zgjedhor e kanë shoqëruar presioneve, shantazhime, premtime të rrejshme nga nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi. Të tjera burime pjesëmarrës po në këtë proces, madje thonë se të pranishëm në vendvotim ka qenë edhe një numër i madh i ispektorëve policorë shqiptarë, që është e palejueshme por edhe një damkë e keqe për demokracinë.

Kur jemi te mungesa e demokracisë, të themi se BDI-ja është e vetmja parti në Maqedoninë e Veriut, e cila 3 vjet ka funksionuar praktikisht pa organe partiake – Kryesi Qendrore.

Pra, të gjitha këto fakte flasin për një mungesë të madhe të demokracisë dhe transparencës në këtë parti, por edhe për zgjedhjen e funksionarëve super të pasur – milionerë, në kreun e Degëve, pra fjala eshte per persona këto të cilët para se të hynin në politikë, në kontot e tyre nuk kishin asnjë denarë, ndërkohë që sot janë bërë milionerë.

Mungesa e demokracisë dhe korrupsioni, janë kancer i demokracisë, por në veçanti i partive politike. Në fakt, pikërisht mungesa e këtyre të dy komponentave në BDI, bëri që këtë parti ta ndajë gatise në dy fraksione. Gjithsesi edhe krahas kësaj, Ahmeti me veprimet e përsëritura jostatutare dhe jodemokratike në këtë proces zgjedhor, po dëshmon se nuk i ka mësuar leksionet e nevojshme.