Zeqiri: Trende jo të favorshme demografike në Maqedoninë e Veriut

Trendet aktuale demografike në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk janë të favorshme. Shteti përballet me lëvizje negative demografike dhe kjo manifestohet me rritje të emigrimit në vendet e huaja, tha rektori i Universitetit “Nëna Tereza” në Shkup, Izet Zeqiri, në Konferencën Ndërkombëtare për Emigrim të quajtur “Njerëz në lëvizje, shtetësi, identitet dhe zhvillim”.

Sipas rektorit Zeqiri, potenciali demografik i një shteti është parakushti kryesor për zhvillim dhe krijim të çfarëdo lloj politikave dhe projektimin e zhvillimit të ardhshëm ekonomik, politik, arsimor, shëndetësor dhe zhvillim tjetër. Ai theksoi edhe se popullsia është një nga faktorët më të rëndësishëm të shoqërisë, të zhvillimit ekonomik të çdo vendi. Popullsia siç theksoi rektori ka rëndësi të madhe për vëllimin, strukturën dhe zhvillimin jo vetëm të prodhimtarisë por edhe të aktivitetit gjithëpërfshirës ekonomik të një vendi.

“Sot në Maqedoninë e Veriut ka rajone në të cilat grupmosha mbi 65 vjet dhe më shumë përbën mbi 20 për qind të popullsisë së përgjithshme, ndërsa popullsia e re deri 20 për qind që është situatë alarmante. Në sferën e ekonomisë plakja ndikon ndaj rritjes ekonomike, kursimit, investimeve, prodhimtarisë, fuqisë së punës, pensioneve, tatimeve. Në kuptim social plakja ndikon edhe ndaj strukturës së familjes dhe rregullimin e jetës, kërkesës së amvisërive, trendeve emigruese, epidemiologjisë dhe mbrojtjes shëndetësore”, tha Zeqiri.