Zelensky: Rusia synon qëllimisht objektet bërthamore

Ukraina ka thënë se Rusia lëshoi një breshëri raketash me precizion të lartë dhe sulme të tjera që shkaktuan një valë ndërprerjesh të energjisë elektrike, duke kërkuar sanksione kundër industrisë bërthamore ruse.

“Një tjetër përpjekje e një shteti terrorist për të bërë luftë kundër shoqërisë së civilizuar ka rezultuar në ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit në disa nga rajonet dhe qytetet tona”, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai tha se si rezultat i këtij sulmi, termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia u shkëput përsëri nga rrjeti i energjisë, duke shtuar se Rusia po krijon “qëllimisht” situata kritike në objektet bërthamore të Ukrainës.

Reagimi i Zelenskyt vjen pasi të paktën nëntë persona kanë vdekur në një valë të re sulmesh anembanë Ukrainës, në të cilat Rusia përdori armë të fuqishme, duke përfshirë raketa të rralla hipersonike.

Dhe breshëria e fundit e sulmeve thuhet se ishte më e rënda që goditi Ukrainën për javë të tëra.