Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky publikoi pamje të sulmeve në territorin rus, duke thënë se janë përdorur raketa të tipit “Flamingo” që goditën objektiva më shumë se 1500 kilometra brenda Rusisë.
Sipas tij, këto sulme janë pjesë e operacioneve të thella të ushtrisë ukrainase dhe përbëjnë një përgjigje ndaj sulmeve ruse. Ai theksoi se objektivat përfshinin komplekse të industrisë ushtarake në qytetin Cheboksari.
Zelensky deklaroi se raketat “Flamingo” kaluan mbi 1500 kilometra dhe goditën një fabrikë që prodhonte sisteme për industrinë ushtarake ruse, përfshirë komponentë navigimi për marinën, aviacionin dhe automjetet e blinduara.
Në sulmet janë raportuar dëme në ndërtesa dhe objekte industriale, ndërsa sipas burimeve lokale ka pasur të vrarë dhe të plagosur. Autoritetet ruse reaguan duke aktivizuar shërbimet emergjente dhe duke marrë masa sigurie.
Zelensky shtoi se Ukraina do të vazhdojë sulmet ndaj objektivave ushtarake në thellësi të territorit rus dhe i bëri thirrje Rusisë t’i japë fund luftës dhe të kthehet në diplomaci.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022.



