Mickoski njoftoi se së shpejti do të ketë zgjedhje, Limani: “Donit luftë, tani tregoni sa vleni”

Pas njoftimit të kryeministrit Hristijan Mickoski se së shpejti do të ketë zgjedhje, kanë mbërritur edhe reagimet e para. Njëri prej tyre është nga ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, i cili ndau një postim në rrjetet sociale nga profili “Zahir Pajaziti” me një foto të kryeministrit Hristijan Mickoski, me titullin “Zgjedhjet parlamentare do të mbahen së shpejti”, transmeton Portalb.mk.

Nën foto, shkruhet: “Me Fatmir Limanin donit luftë, tani trego sa vlen! Së shpejti do t’ua mundësoj ta tregoni veten”.

Ky ripostim duhet të interpretohet si pjesë e një sërë reagimesh nga Limani pas mosmarrëveshjeve të tij me krerët e koalicionit VLEN, anëtar i të cilit ishte si pjesë e Lëvizjes Besa të Bilall Kasamit.

Disa javë më parë Kasami tha se Limani nuk është pjesë e kombinatorikës së VLEN-it.

“Z. Fatmir Limani, ai gjithashtu ka ndërprerë komunikimin me Lëvizjen Besa shumë kohë më parë dhe nuk shoh që në udhëtimin tonë brenda VLEN ai të jetë pjesë e kombinatorikës politike”, tha Kasami në një intervistë në TV Alsat.

VLEN duhet të bashkohet zyrtarisht në një parti të vetme politike të shtunën, më 9 maj. Sipas njoftimeve, partia do të ketë bashkëkryetarë – Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, dy nënkryetarë – Mimoza Musa dhe Bekim Qoku, dhe një sekretar – Bekim Sali.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se i vjen keq që LSDM ka vendosur përsëri të gjunjëzohet para interesave të të tjerëve, në vend që të qëndrojë krah për krah me qeverinë.

“Lajmi i mirë është se së shpejti do të ketë zgjedhje dhe pas këtyre zgjedhjeve, partia që ai (Venko Filipçe) drejton do të margjinalizohet dhe shpresoj që ai dhe ata si ai të zhduken përgjithmonë nga politika dhe që njerëzit që e duan atë, që e duan atdheun dhe që do të luftojnë për këtë vend së bashku me këtë qeveri dhe me mua do të vijnë”, tha kryeministri.

Disa orë më vonë, nga selia e partisë LSDM, Venko Filipçe tha se e kishte dëgjuar deklaratën e kryeministrit dhe se nuk e dinte për çfarë lloj zgjedhjesh po fliste, por se supozimet e tij ishin se ato me shumë mundësi po i referoheshin zgjedhjeve parlamentare, gjë që sipas tij është logjike sepse shtetit po i mbarojnë paratë dhe është e qartë se metodat e qeverisjes së qeverisë aktuale nuk mund të funksionojnë për një kohë të gjatë, sepse opozita po i demaskon gënjeshtrat e tyre, duke shpallur tendera kriminale dhe politikat e rreme patriotike të VMRO-DPMNE-së, qëllimi i vetëm i të cilave është të ngecin në vend dhe që vendi të mos bëjë përparim.

“Ne jemi të gatshëm për zgjedhje kurdo që të ndodhin dhe do t’i japim fund kësaj qeverie sepse është kriminale, më e korruptuara në të gjithë Evropën dhe sepse është antipopullore dhe nuk interesohet fare për shtetin dhe qytetarët. Ne do ta kthejmë pushtetin në duart e popullit dhe po jua them këtë me përgjegjësi”, tha Filipcç.

Deri më sot, deklaratat e kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ishin se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin në datën e rregullt në vitin 2028.