Zelensky: Po përpiqen të na shkatërrojnë dhe të na zhdukin nga faqja e dheut

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në mëngjesin e sotëm ka reaguar ndaj lajmit për shpërthimet në të gjithë vendin, duke thënë se rusët “po përpiqen të shkatërrojnë Ukrainën”.

“Po shkatërrojnë njerëzit tanë që po flenë në shtëpi në Zaporozhje. Vrasin njerëz të cilët shkojnë në punë në Dnjepar dhe Kiev. Alarmi ajror nuk ulet në të gjithë Ukrainën. Ata po përpiqen të na shkatërrojnë dhe të na fshijnë nga faqja e dheut”, tha Zelenski.

Anton Gerashçenko, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, në Tuiter publikoi fotografi që dukej të ishte një kënd lojërash me mbishkrim “Këndi i lojërave për fëmijë në qendër të Kievit pas sulmit”.

Sipas tij, nga sulmet në Kiev deri më tani është konfirmuar vdekja e pesë personave, ndërsa janë lënduar 12 persona.

Mihaillo Podoljak, këshilltar i presidentit Volodimir Zelenski, dekalroi se “sulmet e qëllimshme” në qendër të Kievit, si dhe sulmet në Zaporozhje në jug dhe Dnjeparit në Ukrainën qendrore, janë dëshmi e mëtejshme për “papërshtatshmërinë terroriste të Kremlinit”.

“Rusia nuk është e aftë të luftojë në fushën e betejës, por është në gjendje të vrasë civilë. Në vend të bisedimeve, na duhen mbrojtje ajrore, MLRS, raketa me rreze më të mëdha veprimi”, theksoi ai.