Zelensky, intervistë për Newsmax: Zhvendosja e fokusit të SHBA drejt Lindjes së Mesme dobëson presionin ndaj Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shqetësimin se ndryshimi i prioriteteve të Shteteve të Bashkuara drejt Lindjes së Mesme po ul presionin ndaj Rusisë dhe rrezikon të zgjasë luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për Newsmax, ai deklaroi se, megjithëse mbështetja ushtarake amerikane vazhdon, presioni politik dhe ekonomik ndaj Moskës është zbutur. “Ne të gjithë duam ta ndalim këtë luftë. Problemi është se prioriteti për Shtetet e Bashkuara tani është zhvendosur drejt Lindjes së Mesme”, u shpreh ai.

Zelensky theksoi se Ukraina mbetet në kontakt të përditshëm me zyrtarët amerikanë dhe se furnizimet me armë vijojnë, përfshirë mundësinë për të blerë sisteme mbrojtëse me fonde evropiane. Megjithatë, sipas tij, armët nuk janë të mjaftueshme pa masa të forta ekonomike. “Shtetet e Bashkuara mund të ushtrojnë presion me më shumë sanksione, por tani ato janë lehtësuar dhe ne e ndiejmë këtë”, tha ai.

 

Presidenti ukrainas ngriti shqetësimin edhe për lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse, duke argumentuar se kjo i mundëson Kremlinit të financojë luftën. Ai shtoi se shpreson që sanksionet të rikthehen plotësisht.

Duke folur për situatën në terren, Zelensky u shpreh se Ukraina ndodhet në një pozicion më të mirë krahasuar me muajt e fundit, por përsëriti se përfundimi i luftës mbetet prioritet. Ai gjithashtu zbuloi se ka refuzuar kërkesat e disa partnerëve për të kufizuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, pavarësisht shqetësimeve globale për energjinë.

Në intervistë, ai kritikoi edhe qëndrimet e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, duke theksuar se kundërshtimi ndaj ndihmës për Ukrainën përfiton Rusinë. “Nëse dikush është krenar që nuk na ndihmon, atëherë po ndihmon rusët”, u shpreh ai.