Zelensky falënderon shqiptarët: Qëndrimi juaj më kujton Shën Terezën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar Shqipërinë dhe popullin e saj që është rreshtuar krah vendit të tij që po pushtohet nga Rusia.

Madje, ai ka thënë se ndihma dhe kujdesi që shqiptarët kanë treguar për ukrainasit ia kanë rikujtuar humanisten e madhe Shën Tereza e cila ka prejardhje shqiptare.

“Unë jam mirënjohës që nuk hezitoni të mendoni se kë do të mbështesni. Ju jeni padyshim në anën e lirisë dhe të së vërtetës. Faleminderit për hapat konkretë për Ukrainën, për ndihmën e mbrojtjes, për mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe për përkujdesjen që ju i bëni njerëzvë tanë, veçanërisht fëmijëve tanë. Qëndrimi juaj ndaj popullit të Ukrainës, fëmijëve të Ukrainës, në kohë të vështira për ne më bën të kujtoj Shën Terezën shqiptare e cila është kthyer në simbolin e humanizmit për mbarë botën”..

“Ajo i mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund ta mposhtin të keqen dhe t’i afrojnë ata me shenjtërinë që njerëzit do të kujtojnë brez pas brezi. Unë besoj se duke punuar së bashku me gjithë evropianët në përpjekjet tona të mira të përditshme do të jemi në gjendje ta ndalojmë këtë luftë të zhvilluar nga Rusia, por gjithashtu do ta mbrojmë Evropën nga përsëritja e një kërcënimi të tillë në të ardhmen”./ Klankosova.tv.