Zekolli: Më 26 gusht vendoset gurthemeli i autostradës Shkup–Bllacë

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, është takuar me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, Dimal Basha, me ç’rast kanë diskutuar për projektet strategjike infrastrukturore që synojnë forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Sipas Zekollit, takimi ishte konstruktiv dhe në të u shqyrtuan projektet që tashmë janë në realizim, si dhe ato që pritet të nisin në periudhën e ardhshme.

Në fokus të bisedimeve ishin autostrada Shkup–Bllacë dhe rruga Tetovë–Prizren, dy projekte që konsiderohen të rëndësishme për përmirësimin e qarkullimit, lidhjeve infrastrukturore dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Zekolli njoftoi se më 26 gusht pritet të vendoset gurthemeli për fazën e dytë të autostradës Shkup–Bllacë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të kësaj lidhjeje me Kosovën.

Ajo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve po konkretizohet përmes projekteve që synojnë krijimin e lidhjeve më të shpejta dhe më të sigurta.