Zejd Rexhepi: Zaevi nuk duhej të fliste, me votëbesimin po manipuloni publikun

Pasi kryeministri Zoran Zaev kërkoi votëbesim të Qeverisë, ka reaguar koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Skender Rexhepi – Zejdi.

Ai vlerëson se kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk duhej t’i jepte të drejtën e fjalës Zaevit, pasi ishte jashtë rendit të ditës.

“Për këtë thashë se propozuesi duhet t’i përmbahej rendit të ditës, do të thotë ju t’ia merrnit të drejtën e fjalës që ai mos të deklarohet. Pikërisht për këtë, konsideroj se ky ishte veprim i përshpejtuar. Pika për votëbesimin është jashtë rendit dhe opozita nuk ka mundësi që japë vlerësimin e saj për Qeverinë, të ketë mundësi të reagojë dhe partitë politike të mund të shprehen për punën e Qeverisë deri tani”, tha Skender Rexhepi – Zejdi, transmeton TV21.

Ai shtoi, se me këtë po tentohet të fshihen “dëmet që i janë bërë arsimit dhe shqiptarëve po u mohohen edhe të drejtat e garantuara me kushtetutë, si protestat për “Monstrën”.

“Na ndaluat të pyesim se pse shqiptarëve u ndalohet të protestojnë”, tha Rexhepi.

Ai ka shtuar se me këtë veprim, shumica dëshiron të manipulojë me publikun se ka shumicën e nevojshme./TV21