Zbulohet se si u përhap koronavirusi në Korenë Jugore

Qendrat e testimit të koronavirusit janë mbushur në Korenë e Jugut, ku janë raportuar mbi 2.000 raste të konfirmuara.

Është më pak e njohur se përhapja e koronavirusit në Korenë e Jugut është kryesisht për shkak të një sekti të diskutueshëm të krishterë të quajtur Shincheonji, Kisha e Jezusit, i cili ka më shumë se 200.000 pasues.

Në mënyrë të veçantë, mbi gjysma e personave të infektuar në Korenë e Jugut janë të lidhur me një grua 61-vjeçare, e njohur si Pacientja 31, e cila ndoqi një meshë në qytetin Daegu. Ende nuk dihet se si gruaja ishte infektuar, pasi nuk udhëtonte jashtë vendit.

Tani Koreja e Jugut ka vendosur të testojë të gjithë 200,000 anëtarët e sektit misterioz për shkak të koronavirusit.

Udhëheqësi i Shincheonji Li Manhi ka pranuar t’i japë autoriteteve listën e anëtarëve, me kusht që informacioni të mbetet konfidencial, shkruan Business Insider.

Rreth 80 për qind e të infektuarve në Korenë e Jugut janë të lidhur me këtë sekt.

“Kisha jonë nuk e shpiku këtë virus. Ky është vetëm një justifikim për të zhvendosur fajin. Gjatë historisë, grupet e pakicave gjithmonë janë fajësuar për gjërat e këqija që kanë ndodhur në shoqëri. E njëjta gjë po na ndodh”, thotë anëtari i sektit, 26-vjeçari Ji-Jeon Park, për Guardian.

I themeluar në vitin 1984, Shincheonji u mëson ndjekësve të tij se fundi i botës do të vijë së shpejti dhe se vetëm 144.000 të përzgjedhur do të shpëtohen. Drejtuesi i Shincheonji Li Manhi pretendon se ai është mishërimi i dytë i Krishtit dhe do t’i marrë 144.000 të përzgjedhurit me vete në parajsë në Ditën e Gjykimit.

Ndërkohë, ka dalë një teori që Shincheonji është i lidhur edhe me shpërthimin origjinal të koronavirusit në qytetin kinez Wuhan. Përkatësisht, ky sekt dyshohet se ka degën e tij atje, dhe një regjistrim në të cilin një nga drejtuesit e sektit flet për atë degë u transmetua edhe në KBS News, një stacion televiziv në Korenë e Jugut.

“Asnjë anëtar i Wuhan Shincheonji nuk e ka zgjedhur virusin për shkak të besimit të tyre”, thotë udhëheqësi i sektit në video.

Pas regjistrimit të transmetuar, Shincheonji pranoi se ata kishin rreth 300 anëtarë në Wuhan, andaj është e mundur që virusi është transmetuar nga Kina në Korenë e Jugut, por kjo mundësi është duke u eksploruar, transmeton KosovaPress.