Zbulohet qëndrimi i Nico Williams rreth interesimit nga Barcelona për shërbimet e tij

Sulmuesi i Athletic Bilbaos, Nico Williams është në dijeni të interesimit që ka Barcelona për ta transferuar atë në verën e vitit të ardhshëm.

Por, sipas mediave në Spanjë, Williams është duke menduar për ta vazhduar karrierën e tij tek baskët e Athletic Bilbao.

Williams do të mbetet lojtar i lirë në verën e vitit 2024 në rast se nuk nënshkruan para asaj kohë një kontratë të re.

 

Kjo është arsyeja pse Barcelona e ka vënë syrin tek sulmuesi i talentuar.

Sidoqoftë, ai shpeshherë e ka thënë se Bilbao është klubi i tij i jetës, teksa aty ai luan rregullisht përkrahë vëllaut të tij më të madh, Inaki Williams.

Përveç Barcelonës, interesim për Williams kishte shprehur më herët edhe Aston Villa, por që 21-vjeçari e hodhi poshtë edhe mundësinë për të kaluar në Ligën Premier.

Barcelona mund të tërhiqet nga gara për nënshkrimin e tij duke marrë parasysh formën aktuale të Joao Felix që kur ky i fundit iu bashkua atyre gjatë verës.

Vlen të theksohet se edhe Ansu Fati do të rikthehet në fund të sezonit pas huazimit njëvjeçar tek Brighton, me shpresën se ai do të marrë më shumë minuta në këmbët e tij. /Telegrafi/