Zbulohet arsyeja qesharake pse La Liga nuk e ka teknologjinë e vijës së golit

Barcelonës iu mohua mundësia për të rimarrë avantazhin në El Clasico ndaj Real Madridit, për shkak të mungesës së teknologjisë së vijës së golit e cila nuk ishte në dispozicion të gjyqtarëve të La Ligas.

Ekipi i Xavit fitoi një rivënie këndore në minutën e 28-të, të cilën e ekzekutoi Raphinha. Ai e bëri këtë afër shtyllës dhe topi ra në këmbët e Lamine Yamal i cili e devijoi atë, duke e lënë Andriy Lunin në telashe të mëdha.

Portieri ukrainas reagoi shpejt dhe disi e largoi topin, por shumë pasiguri u shfaqën lidhur me atë se a e kaloi topi vijën e portës a po jo.

Kjo bëri që gjyqtari i ndeshjes të konsultohej me dhomën e VAR-it, por këta të fundit në mungesë të provave bën thirrje që të vazhdohej me rivënie këndore.

Pse La Liga nuk e përdor teknologjinë e vijës së golit?

Teknologjia e vijës së golit është më se e nevojshme në futbollin modern. Duke marrë parasysh numrin e madh të kamerave që vendosen në portë, kjo ndihmon gjyqtarët që të shmangin çdo situatë të diskutueshme.

Këtë teknologji e zotërojnë pothuajse të gjitha ligat e mëdha në botë si Liga Premier, Serie A dhe Ligue 1.

Por përse futbolli spanjoll, më saktësisht La Liga, nuk e ka këtë teknologji pothuajse një dekadë pasi u prezantua? Arsyeja pse elita e futbollit spanjoll nuk e zotëron këtë teknologji është për shkak se presidenti i saj, Javier Tebas, ka thënë në një intervistë se ‘kushton shumë’.

Siç ka raportuar mediumi spanjoll El Larguero, Tebas nuk është i gatshëm që të paguajë 2.6 milionë euro për ta inkuadruar këtë teknologji në futbollin spanjoll.