Zbulohen dokumentat, Abramovich financonte një tjetër klub gjatë pronësisë te Chelsea

Manjati rus Roman Abramovich, nuk kujdesej vetëm për Chelsean gjatë kohës kur drejtonte dhe financonte “Blutë e Londrës”. Së fundmi, janë zbuluar dokumenta të cilat faktojnë se Abramovich investoi 102.8 milionë paund për klubin holandez të Vitesse. Këto para shkuan për të huazuar lojtarë të ndryshëm tek holandezët teksa shumë futbollistë kaluan te Vitesse gjatë periudhës së presidencës ruse te Chelsea.

Në fakt, numri një i Vitesse ishte Merab Jordania, mik i ngushtë me Roman Abramovich. Jordania ka qenë gjithnjë një person që dyshohej se punonte për Abramovich në klubin holandez, edhe pse gjithnjë e mohonte. Edhe nga ana e Federatës Holandeze ka pasur dy investigime në lidhje me huazimet e shumta të Vitesse nga Chelsea pasi klubet e Eredivisie nisën nga ankesat, megjithatë Federata nuk arriti të faktonte asnjë lidhje financiare të anglezëve me klubin holandez.

Por, tashmë me zbulimin e dokumentave gjithçka është provuar teksa Jordania qëndronte vetëm në mënyrë formale si president i Vitesse, pasi në të vërtetë klubi menaxhohej nga Abramovich. Vlen të theksohet se nga Chelsea në drejtim të Vitesse me anë të formulës së huazimit kanë kaluar plot 29 lojtarë mes tyre edhe Armando Broja, apo emra si Mason Mount apo Nemanja Matic.