Zaharieva: Mos mendoni se pas zgjedhjeve do të zbutet qëndrimi jonë për Maqedoninë, do bëhet më keq!

Ministrja bullgare e punëve të jashtme, Ekaterina Zaharieva, thotë se si asnjëherë më parë në parlamentin bullgar ekziston konsensus lidhur me çështjen e raporteve me Maqedoninë e Veriut.
“Pozita e parlamentit bullgar lidhur me temën për Maqedoninë e Veriut është një nga çuditë, sepse rrallë herë jemi njëzëri për ndonjë çështje si tani. Edhe shoqëria bullgare edhe partitë bullgare kanë qëndrim shumë të ngjashëm për këtë temë”, deklaroi sot për BTV ministrja Zaharieva.
Siç transmeton gazeta Lajm, Zaharieva ka thënë se është gabim i madh të pritet se qëndrimi i Bullgarisë lidhur me Maqedoninë e Veriut do të ndryshojë pas zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen atje në mars.
“Ideja se diçka do të ndryshojë pas zgjedhjeve në vendin tonë është e gabuar. Në vend të kësaj, nëse diçka ndryshon, kjo do të jetë për më keq”, theksoi Zaharieva. Ajo ka shtuar se nuk ka asgjë të fshehtë nga takimi me përfaqësuesin special të qeverisë maqedonase, Vllado Buçkovski.
Sipas Zaharievës, problemi me gjuhën është një nga hutitë, që siç thotë, RMV mundohet t’i imponojë.
“Ne dëshirojmë t’i tejkalojmë stereotipet nga e kaluara, të ndërpritet arsimimi dhe formimi i kombit bazuar në qëndrim antibullgar, t’i japim fund gjuhës së urrejtjes, t’i japim fund arsimit që promovon urrejtje ndaj gjuhës bullgare. Kjo është ajo që ne e duam, që sipas meje nuk është diçka e komplikuar, por si duket mjaftë e komplikuar për ta”, deklaroi Zaharieva për BTV.