Zaharieva: Minoritet maqedonas nuk ka, por në Maqedoni ka bullgarë

Bllokimi i fillimit të bisedimeve të Maqedonisë me BE nga ana e Bullgarisë, i detyroi anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve të vendit tonë të propozojnë që të ndryshohet mënyra e vendimmarrjes, respektivisht të mos ketë nevojë për konsensus të plotë. Në kumtesën e tyre thuhet se Këshilli i Ambasadorëve, shpreh zhgënjim të madh që janë bllokuar negociatat aderuese me BE-në, për shkak të, siç thonë, qëndrimeve joparimore të Republikës së Bullgarisë.

“Avancimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe rajonale janë pjesë thelbësore për proceset e eurointegrimit. Prandaj, Këshilli i Ambasadorëve në aktivitetet e tij të ardhshme do ta afirmojë qëllimin e renditur lartë në agjendën politike të vendit tonë dhe do ta nxisë idenë për modernizim të mekanizmit të vendimmarrjes në BE, mbi parimin “konsensus minus një”, thonë nga Këshilli i Ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut.

Ministrja e punëve të jashtme, Ekaterina Zaharieva edhe sot vazhdoi me qëndrimet e saj të ngurta dhe tha se pa garanci nuk ka negociata për Maqedoni. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në parlamentin bullgar, ajo tha se në Maqedoni ka gjuhë të urrejtjes dhe se insistohet për minoritet maqedonas në Bullgari. Por, nga ana tjetër, ajo flet për bullgarë në Maqedoni.

“Ka tekst për obligime që vlejnë vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut se nuk do të ketë pretendime për të ashtuquajturin minoritet maqedonas në Bullgari. Qeveria e Bullgarisë ishte ajo e cila për herë të parë krijoi program special për ndihmë dhe financim të shoqatave të bullgarëve në anën tjetër të kufirit”, theksoi Ekaterina Zaharieva – Ministre për Punë të Jashtme e Bullgarisë.

Këto ditë përfaqësuesi special në negociatat me Bullgari, Vllado Buçkovski zhvilloi takim me krerët bullgarë, ndërsa dje në takimin me Bojko Borisov tha se i sjell non-paper i cili, siç theksoi, ka të bëjë me atë se Maqedonia nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë./TV21