Zgjedhje më 14 qershor, qëndrim i koalicionit “Mundemi”

Të shfrytëzohet momenti i zbehjes së koronavirusit dhe të shkohet në zgjedhje kah mesi i qershorit, më saktë më 14 qershor, ky është qëndrimi i përbashkët i koalicionit “mundemi” që u ndërtua gjatë mbledhjes së sotme në selinë e LSDM-së. Ky qëndrim do të prezantohet të martën në takimin e liderëve.

“Erdhëm në përfundim se shtetit i nevojiten zgjedhje menjëherë pasi të krijohen kushte për mbajtjen e tyre. Në rast se vazhdon të ulet infektimi kjo është më e mira nga aspekti shëndetësor dhe ekonomik. Është mirë të mbahen në kushte të tilla sepse nuk rrezikohet shëndeti i qytetarëve, posaçërisht pasi në vjeshtë pritet valë e re. Kjo do t’i jepte mundësi shtetit që më mirë të përgatitet për valën e re, me Kuvend dhe institucione funksionale”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev theksoi se kriza me virusin korona ka lënë pasoja mbi ekonominë dhe për këtë shkak sipas tij është e nevojshme Kuvendi dhe Qeveria me legjitimitet të plotë që të mund të ndërmerren hapa adekuat për tejkalimin e saj.

“Shteti jonë me kohë i ndërmori masat dhe mire po ballafaqohet me virusin, por nuk duhet të lirohemi dhe për këtë shkak apeloj që qytetarët t’ju përmbahen dhe të respektojnë rekomandimet”, theksoi Zaev, pas takimit.