Zaev, Sheqerinska dhe Xhaferi takojnë admiralin Xhejms Fogo

Kryeministri i vendit Zoran Zaev, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u takuan me admiralin Xhejms Fogo, komandant i forcave detare amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i Forcave të bashkuara aleate të NATO-s në Napoli.

“Kjo ishte një mundësi që nga afër të përjetohen aftësitë impresionuese ushtarake të forcave detare të SHBA-së, të cilët u shërbejnë qytetarëve amerikanë por edhe të gjithë qytetarëve të vendeve anëtare të Aleancës së NATO-s. Po bëhemi pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake të sigurisë dhe asaj politike të botës dhe në historinë e civilizimit njerëzor”, shkruan në profilin e tij zyrtarë në Facebook kryeministri Zoran Zaev.

Zaev shton më tej se Maqedonia e Veriut i takon sistemit më të fuqishëm të sigurisë kolektive.

“Vendet më të fuqishme në botë janë aleatë tanë, ndërsa Maqedonia e Veriut është anëtarja e 30-të e plotfuqishme e NATO-s”.

Për takimin në Facebok shkroi edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.

“Një ditë përplot me adrenalinë. Ateruam në aeroplanmbajtësin “Hari S. Thruman”. Së bashku me kryeministrin Zoran Zaev dhe shefin e parlamentit Talat Xhaferi, atje kemi pasur takim me admiralin Xhejms Fogo, komandant i forcave detare amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i Forcave të bashkuara aleate të NATO-s në Napoli. Kjo ishte mundësi që prej së afërmi të përjetohen kapacitetet impresionuese të forcave ajrore detare të SHBA-së dhe të NATO-s. Po bëhemi anëtarja e 30-të e Aleancës dhe tashmë jemi pjesë e familjes”, shkroi në Facebook, Sheqerinska.