Zaev: Qeveria është e hapur për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, e cila është në favor të maturantëve

Si qeveri e përgjegjshme, ne investojmë tek të rinjtë dhe kujdesemi për arsim cilësor dhe përparim të mëtutjeshëm. Jemi të vetëdijshëm se në kohën e krizës së koronës është e nevojshme të dalim në takim dhe përmes dialogut të gjejmë zgjidhje kompromisi, tha Kryeministri Zoran Zaev gjatë takimit me përfaqësuesit e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në Qeveri.

Në takim, informojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, nxënësit e shkollave të mesme, si përfaqësues të Unionit, ia shpjeguan kërkesat e tyre Kryeministrit Zaev, duke iu referuar modeleve arsimore në Francë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku është ulur numri i lëndëve, që maturantët do t’i japin këtë vit.

Duke i dëgjuar përfaqësuesit e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, të cilët theksuan se ata qëndrojnë në kërkesat e tyre për zvogëlimin e numri të lëndëve për maturën shtetërore në dy lëndë eksterne, Kryeministri Zaev shprehu mbështetje për nxënësit e rinj të shkollës së mesme dhe theksoi se Qeveria është e hapur për dialog për të gjetur një zgjidhje të përbashkët kompromisi, e cila është në favor të maturantëve, me qëllim arsimit cilësor të tyre edhe në arsimin e mesëm edhe më tej në arsimin e lartë.

Kryeministri Zaev, sot i priti përfaqësuesit e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, me iniciativën e tyre dhe diskutuan për kërkesat e tyre për modifikimin e maturës shtetërore, përkatësisht zvogëlimin e lëndëve nga katër në dy dhe programe të shkurtuara mësimore.

Kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Blendi Hodari pas takimit deklaroi se Kryeministri Zoran Zaev ka vullnet që sa më shpejt të gjendet zgjidhje për problemin me maturën shtetërore në mënyrë që të mos humbin kohë maturantët që planifikojnë të regjistrohen në universitete të huaja, si dhe diskutuan se cilat janë zgjidhjet e mundshme të kompromisit nëse ndryshimet e Ligjit nuk votohen në Kuvend.

“I thamë se jemi të gatshëm të bëjmë një kombinim nëse të kemi heqje të një provimi intern ose një provimi ekstern që të zvogëlohet numri i lëndëve eksterne dhe interne. Biseduam edhe për programet e shkurtuara për provimet e maturës shtetërore, sepse tani vetëm katër lëndë kanë programe të shkurtuara për dhënien e maturës shtetërore, ndërsa ato janë gjuha maqedonase, kimia, fizika dhe gjeografia. Ne duam që i gjithë materiali që u studiua gjatë pandemisë, nga marsi 2020 deri në fund të këtij viti shkollor, të ketë programe të shkurtuara në mënyrë që të kemi një maturë të drejtë shtetërore”, tha Hodai pas takimit në Qeveri.

Ai theksoi se procesi i kërkimit të një zgjidhjeje nuk duhet të jetë në dëm të maturantëve dhe nxënësve të shkollave të mesme.

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme kërkon që në vend të katër lëndëve të ketë dy lëndë për maturën shtetërore, njëra prej të cilave do të jetë gjuha amtare, ndërsa e dyta sipas zgjedhjes së maturantit në varësi të qëllimit se në cilin fakultet dëshiron ta vazhdojë shkollimin e tij. Zgjidhja aktuale parashikon dhënien e katër lëndëve për maturë shtetërore për të gjithë materialin në katër vitet e fundit të arsimit.