Zaev pas takimit me Timermans: Të mos ketë ndarje të Shkupit dhe Tiranës në procesin e integrimit

Kryeministri Zoran Zaev i shoqëruar nga shefja e misionit të përhershëm të Maqedonisë së Veriut në BE, Agnesa Rusi-Popovska në Bruksel janë takuar me nënkryetarin ekzekutiv të Komisionit Evropian, Frans Timermans. Zaev në takim shprehi falënderim për mbështetjen e nënkryetarit e Komisionit evropian Timermans për fillim të bisedimeve aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe shtoi se vendi ynë si dhe Ballkani Perëndimorë janë pjesë nga ardhmëria e Bashkimit Evropian dhe se kjo çështje nuk pret vonesa.
Siç njoftojnë nga qendra për shtyp e Qeverisë, nënkryetari i KE-së, Timermans shprehi urime për lidershipin dhe për gjithçka që është bërë për përparimin dhe transformimin demokratik dhe reformues të Maqedonisë së Veriut në vitet e fundit dhe theksoi se ai mbetet i vendosur në angazhimin e tij personal dhe institucional për të filluar pjesën e fundit të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE. Nga Qeveria njoftojnë se bashkëbiseduesit ranë dakord që në këtë proces të mos ketë shkëputje nga Shqipëria dhe se Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha kushtet për të filluar negociatat, gjë që u konfirmua në raportet e KE për fillimin e pakushtëzuar të negociatave.