Zaev: Nuk dua të flas për “planin B” për integrimin evropian, ne duhet të kemi sukses

Në përvojën time modeste politike si kryetar i qeverisë, ne kurrë nuk kemi hartuar një “plan B”, sepse atëherë kjo do të nënkuptojë se po heqim dorë nga “plani A”, deklaroi sot, Kryeministri Zoran Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse vendi ka një “plan B”, nëse negociatat për anëtarësim në BE nuk fillojnë në dhjetor.

“Nuk dua të flas për planin B, ne duhet të kemi sukses”, theksoi Zaev pas kontrollit në pikën për hedhje në Shkup, ku hidhen stufa të vjetra dhe trupa të tjerë jooekologjikë për ngrohje.

Sipas tij, e vetmja mundësi është gjetja e zgjidhjeve me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë. “Unë besoj se ka zgjidhje edhe për këto çështje, të cilat janë një sfidë aktuale”, potencoi Kryeministri.

Ai deklaroi se beson se Komisioni i përbashkët i Maqedonisë dhe Bullgarisë për çështje historike do të jetë në gjendje të gjejë zgjidhje, pasi, siç tha ai, ata patën dje “ditë të këndshme pozitive”.

“Ne jemi një rajon shumë i vogël, ne jemi të lidhur historikisht dhe besoj se do të jemi të zgjuar, ajo histori e përbashkët nga e kaluara të na bëjë miq më të mëdhenj, dhe jo të na përçajë”, shtoi Zaev.

Ai theksoi se ka kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar çështje të tjera të hapura politike, në mënyrë që të vazhdojë procesi i integrimit evropian i vendit me kënaqësi të ndërsjellë me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në në dhjetor.

Sipas tij, nëse Goce Dellçev nuk do të ishte, do të na duhej ta shpiknim, në mënyrë që ai të ishte një urë për miqësinë midis dy vendeve.

“Besoj se do të jemi evropianë dhe me frymë evropiane do të jemi në gjendje të gjejmë zgjidhje të mençura në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ecim përpara”, potencoi kryeministri Zaev.