Zaev: Jam për mësim me prezencë fizike, por kjo varet nga situata me virusin

Komisioni për Sëmundje Infektive (KSI) është ajo që vendos, por unë do të doja që në shtator mësimi të jetë me prezencë fizike në raste se gjendja me Kovid-19 e lejon një gjë të tillë, tha kryeministri Zoran Zaev, në konferencën e sotme për shtyp.

“Për shkollat kam qëndrim timin. Por, gjithsesi se më e rëndësishme është se si do të jetë gjendja me koronavirusin kah fundi i gushtit. Megjithatë, unë personalisht jam për mësim me prezencë fizike. Mendoj se do kemi gjendje stabile dhe tani që shifrat po ulen, do të duhej të ishte një bazë e mirë për mësim me prezencë fizike. Në rast se ka nevojë pastaj mund të shkojmë me masa të reja, përfshi edhe mbylljen”, tha Zaev.