Xi Jinping-u takohet me presidentin e fondacionit “Gates”

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi të premten në Pekin një takim me presidentin e fondacionit amerikan “Bill and Melinda Gates”, Bill Gates.

Gjatë takimit, Xi shprehu vlerësim për përpjekjet e z. Gates dhe të fondacionit të tij në fushat e zbutjes së varfërisë, shëndetësisë, zhvillimit dhe bamirësisë.

Foto nga Xinhua

Kreu i shtetit kinez theksoi që tani në situatën botërore po ndodhin ndryshime të shpejta, të papara në 100 vjetët e fundit. “Unë kam paraqitur Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, me synim që të ofroj projektin kinez për zgjidhjen e sfidave globale. Kina është e fokusuar së pari te zgjidhja e problemeve të veta. Si një vend i madh me 1.4 miliardë popullsi, qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi i vazhdueshëm janë një kontribut i rëndësishëm për paqen, qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e botës. Ne do të konsolidojmë arritjet e zhdukjes së varfërisë, do të realizojmë lulëzimin rural dhe do të ngremë pandërprerë nivelin e shëndetësisë në zonat rurale,” u shpreh Xi.

Ai vuri në dukje më tej që Kina është e gatshme të zhvillojë bashkëpunim në fushën e risive teknologjike dhe të marrë pjesë aktivisht e të nxitë përballimin e sfidave globale, si ndryshimi klimatik, lufta antiepidemike e shëndeti publik. Pala kineze është po ashtu e gatshme të shtojë bashkëpunimin me fondacionin “Gates” dhe të ofrojë mbështetje e ndihmë brenda mundësive për vendet e tjera në zhvillim.

Foto nga Xinhua

“Ti je miku i parë amerikan që unë takoj sivjet në Pekin. Bota po del nga pandemia e COVID-19 dhe njerëzit duhet të bëjnë më shumë shkëmbime dhe të shtojnë njohjen e ndërsjellë. Unë shpesh them që baza e marrëdhënieve Kinë-ShBA është te të dy popujt. Ne gjithmonë i vendosim shpresat te populli amerikan dhe shpresojmë që miqësia ndërmjet dy popujve të vazhdojë,” vuri në dukje Xi Jinping-u.