Xi Jinping-Macron bisedë telefonike për Ukrainën,por edhe një sërë çështjesh të rëndësishme

Kreu i shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi  një bisede telefonike me homologun francez Emmanuel Macron. Të dy liderët ishin në një mendje që palët përkatëse duhet të mbështesin rikthimin e paqes ndërmjet Rusisë e Ukrainës nëpërmjet negociatave.

“Kina ka nxitur bisedimet në mënyrën e saj dhe përkrah vendet europiane ta marrin vetë në dorë sigurinë e Europës”, tha  presidenti kinez.

Ndërsa presidenti Emmanuel Macron u shpreh nga ana e tij se Franca dhe Kina ndajnë shumë pika të përbashkëta mbi çështjen e Ukrainës, duke theksuar që vendi i tij është i gatshëm të zhvillojë bashkërendim e bashkëpunim më të ngushtë me Kinën në nivel dypalësh e shumëpalësh.
“Franca dhe Bashkimi Europian ndjekin autonominë strategjike, kundërshtojnë kundërvënien midis blloqeve dhe nuk do të bëhen pjesë e saj”, theksoi kreu i “Elizesë”.
Dy presidentët shkëmbyen mendime edhe mbi marrëdhëniet Kinë-Francë dhe Kinë-BE.
Xi u shpreh se bashkëpunimi dypalësh ka arritur rezultate frytdhënëse në pesë vjetët e fundit. Kina dhe Franca kanë marrë mbi vete përgjegjësitë e tyre si vende kryesore në
çështje si përballimi i ndryshimit klimatik dhe mbrojtja e biodiversitetit.

Dy vendet duhet të respektojnë parimin origjinal të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike “të pavarura, me mirëkuptim të ndërsjellë, largpamëse e me përfitime të përbashkëta” dhe të respektojnë interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës, duke u angazhuar për shtimin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit në nivel dypalësh, Kinë-BE dhe global, tha kreu i shtetit i Kinës.

Presidenti kinez Xi u bëri thirrje dy vendeve të vazhdojnë zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë bërthamore, fluturimeve hapësinore e aviacionit, duke shtuar përpjekjet për të nxitur bashkëpunimin në fushat e reja, si inteligjenca artificiale e energjia e pastër.
Xi u shpreh se Kina është e gatshme të importojë produkte franceze me cilësi të lartë dhe mirëpret kompanitë financiare dhe të teknologjisë së lartë franceze të kryejnë biznes në Kinë. Ndërkohë, ai i kërkoi palës franceze të ofrojë mjedis të barabartë, të drejtë dhe jodiskriminues biznesi për investitorët kinezë.

“Kina dhe Franca duhet të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë, të ruajnë sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb e rendin ndërkombëtar të mbështetur në ligjin ndërkombëtar dhe të përkrahin shumëpolaritetin e botës dhe globalizimin ekonomik, duke thelluar bashkëpunimin në fusha si përballimi i ndryshimit të klimës dhe mbrojtja e biodiversitetit”, tha presidenti kinez. Sipas tij, zhvillimi i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm i marrëdhënieve Kinë-BE është në interes të popullit kinez e të popujve të BE-së dhe të vendeve të tjera të botës.

Në bisedën telefonike, Macron-i vlerësoi bashkëpunimin frytdhënës ndërmjet vendit të tij dhe Kinës gjatë pesë vjetëve të kaluar. Sipas tij, Franca është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën në fusha si bujqësia, aviacioni, energjia bërthamore civile dhe kultura në pesë vjetët e ardhshëm, duke forcuar bashkëpunimin në përballimin e ndryshimit klimatik dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Ai shtoi se Franca do të luajë një rol pozitiv në nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve BE-Kinë.