Xherllek: Vaksina kineze “Sinopham” do të prodhohet në Serbi

Pas takimit me ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, Mirsad Xherllek njoftoi se Serbia në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe do të prodhojë vaksinën kineze kundër Covid-19 “Sinophar”, transmeton Alsat. Xherllek tha se Serbia në të ardhmen do të përpiqet të furnizojë të gjithë rajonin me vaksina, pa dallim marrëdhënieve politike që vendi ka me shtete e rajonit.
“Në Beograd kemi katër lokacione, në javët në vijim do të vendoset se ku do të ndërtohet fabrika dhe deri në fund të vitit vaksina Sinopharm do të prodhohet në Serbi. Kemi treguar solidaritet në momente të vështira edhe me shtetet që nuk jemi në marrëdhënie të mirë politike…kemi treguar që nuk duhet vaksinat t’i vendosim në terren gjeopolitik, por në shpëtimin e jetëve. Për ne është e njëjte jeta si e qytetarëve tanë si e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, qytetarëve që jetojnë në Shqipëri. Mal të Zi, dhe vendet tjera”, tha sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, Mirsad Xherllek.