Xhemaili: Nuk do të ndalem derisa të pi një gotë ujë nga Siniçani

Ujësjellësi i fshatit Siniçan në Komunën e Bogovinës krijoi probleme e tensione mes banorëve, pushtetit lokal dhe atij qendror në vend. Për shkak se uji të cili këta banorë e pinin ishte i ndotur me bakterien e rrezikshme “Escherichia coli”(esheria koli), banorët në bashkëpunim me komunën ishin të detyruar të marrin ujë nga një burim tjetër.

E pikërisht këtu filloi problemi. Kur banorët dhe komuna filluan të punojnë për të lidhur gypat e ujit nga bjeshkët e Siniçanit deri në fshat, forca të shumta policore u ngjitën nê bjeshkë dhe i ndaluan punimet. Kreu i Bogovinës, Albon Xhemaili bashkë me banorët qëndronin përballë policëve, të cilët edhe pas urdhrit të prokurores, Lejla Kadriu që të largohen dhe të lejojnë punimet, nuk u larguan. Banorët filluan protestën në bjeshkë me javë të tëra derisa u gjet një zgjidhje dhe u arrit marrëveshje mes komunës dhe qeverisë, shkruan in7.

Sot, punimet për rrjetin e ujësjellësit vazhdojnë dhe siç thotë i pari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili, brenda pak ditësh do të ketë ujë cilësor për pije. Por e gjithë kjo histori nuk ka kaluar pa pasoja për Xhemailin. Ndaj tij, Prokuroria ka hapur tre lëndë. Ditë më parë ai ka qëndruar për rreth dy orë në prokurori ku është marrë në pyetje dhe siç thotë ai, kjo nuk është hera e parë sepse dyerve të prokurorisë dhe policisë gjatë kësaj periudhe, Xhemaili ka qënë “mysafir” i rregullt.

“Disa herë jam thirrur në polici, disa herë jam mbajtur peng në zyrë nga ana e inspektorëve. Ndonjëherë kam marrë edhe kërcënime me telefon nga zyrtarë. E vërteta është se kam çështje të hapur. Isha në prokurori më morën në pyetje dy orë”, theksoi për in7 kreu i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili.

Megjithatë, Albon Xhemaili thotë se nuk do të ndalet këtu dhe tentimet e prokurorisë nuk do ta frikësojnë atë sepse ndihet i pastër dhe nuk ka bërë ndonjë krim. Krimi i vetëm sipas tij, është përkushtimi dhe puna e tij për t’u siguruar ujë cilësor për pije banorëve të Siniçanit.

“Për mua kjo nuk vlen asgjë derisa të vijë momenti të pi një gotë ujë nga vendbanimi Siniçan, pastaj pushteti le ta bëjë punën e vet”, tha mes tjerash për in7, Albon Xhemaili.

Xhemaili thotë se nuk e ka keqpërdorur në asnjë moment pozicionin e tij, por e gjithë “lufta” sipas tij është bërë vetëm që të furnizohet me ujë për pije fshati Siniçan. E drejtë kushtetuesee çdokujt, thotë Xhemaili, është furnizimi me ujë të pijshëm./in7.tv/