Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot ka nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmerisë së Kosovës, si Agjencion i MPB-së.
Sveçla tha se xhandarmëria përfaqëson hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës së sigurisë, me mision qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë”, shkroi ai nw Facebook, transmeton KosovaPress.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një interviste të dhënë mbrëmë në KTV, në emisionin Interaktiv me Eraldin Fazliun, paralajmëroi se në rast të një mandati tjetër të tij, do ta themelojnë Xhandarmerinë e Kosovës në kuadër të policisë.
/Kosovapress/



