Xhaferi: Marrëdhëniet me Turqinë zhvillohen në frymën e miqësisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Mustafa Shentop, Kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë, i cili qëndron në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut me një grup deputetësh. Në takim ishin të pranishëm nënkryetarët e Kuvendit Goran Misovski dhe Zeqir Ramçilloviq, kryetari i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Turqisë Enes Ibrahim dhe anëtarët Alija Kamberovski, Muhamed Zeqiri, Nikolla Micevski, Amdi Bajram, Jusuf Hasani dhe Teuta Bilali.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi dhe urime që vizita realizohet në këtë ditë të rëndësishme për bashkësinë turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut, respektivisht 21 Dhjetori, Dita e mësimit në gjuhën turke. Ai vlerësoi se komunikimi intensiv në nivel të lartë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë është tregues i miqësisë ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale, sidomos të bashkëpunimit ekonomik.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shprehu mirënjohje ndaj Republikës së Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme të integrimeve euroatlantike të vendit, si edhe ndaj Kuvendit të Turqisë për ratifikimin e Protokollit për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Ai sugjeroi se është veçanërisht i rëndësishëm bashkëpunimi në mbrojtje, ndërsa ushtarët tanë për momentin janë pjesë e kontingjentit turk në misionin e NATO-s “Mbështetje e vendosur” në Afganistan. Në kontekst të integrimit në BE, Xhaferi theksoi se mbesim të përkushtuar ndaj agjendës reformuese dhe avancimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe presim që në mars ose maj të vitit 2020 të caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Union.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi që gjendja e marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, me më shumë se 100 marrëveshje bilaterale, i përfshin të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ai shprehu falënderim edhe për aktivitetet e Agjencisë Qeveritare për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA të Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë Mustafa Shentop, nënvizoi se Republika e Turqisë është mik i përjetshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa vlerat e ndara historike dhe kulturore akoma më shumë i afrojnë të dy vendet. Ai shprehu mbështetje të agjendës reformuese dhe theksoi se Turqia mbetet mbështetës i fuqishëm i integrimit euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe konfirmoi se bashkësia turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut jep kontribut të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e bashkëjetesës së suksesshme multietnike në vend.

Kryetari Shentop informoi për aktivitetet e ardhshme për shënimin e 100-vjetorit të Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë dhe e ftoi personalisht Kryetarin Xhaferi të bëhet pjesë e manifestimit qendror që do të mbahet më 23 prill të vitit 2020.

Të dy kryetarët biseduan për bashkëpunimin e frytshëm parlamentar, me theks në kontributin e Grupeve për Miqësi dhe Bashkëpunim që në vazhdimësi formohen dhe funksionojnë suksesshëm në të dy dhomat ligjvënëse dhe u zotuan për avancim, thellim dhe zgjerim të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të përbashkët, sidomos në ekonomi. Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën shpresë për thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet dy kuvendeve.