Xhaferi kryeministër, Ademi: Moment që shënon histori!

Nga 28 janari i 2024 deri më 8 maj, Maqedonia e Veriut do të ketë kryeministër shqiptar.

Kryetari aktual i kuvendit, Talat Xhaferi, pritet t’ia bëjë sefte një qeverie teknike, e cila ka për detyrë organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Ky sipas ish-Ambasadorit të Kosovës në Shkupin zyrtar, Gjergj Dedaj, është lajm shumë i mirë për demokracinë në këtë shtet, e sidomos për shqiptarët që jetojnë atje, njofton Klan Kosova.

Kurse sipas analistit politik, Visar Ademi, ushtrimi i pozicionit më të pushtetshëm, është mundësi e mirë që së shpejti shqiptarët të mund të kërkojnë këtë post edhe në qeveri politike. Megjithatë nga aspekti formal nuk priten shumë punë, pasi që ky mandat i Xhaferit është vetëm të organizojë zgjedhjet dhe jo të ofrojë programe zhvillimore për shtetin.

Qeveria teknike 100 ditëshe, para zgjedhjeve parlamentare ishte marrëveshje mes partive, pas rënies nga pushteti të Nikolla Gruevskit. Talat Xhaferi ishte epror ushtarak në ushtrinë maqedonase deri në vitin 2001, kur i është bashkuar ushtrisë çlirimtare kombëtare. Më pas ka vazhduar me angazhimin në poste të ndryshme politike.