Xhaferi: Gëzim në shtëpitë tuaja, përparim kolektiv për vendin

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka uruar të gjithë besimtarëve ortodoksë në emrin e tij personal dhe në emër të deputetëve, festën e madhe krishtere – Krishtlindjen.

“ Festat janë ditë të veçanta që bartin në vete magji të veçantë e cila krijon në gjithë ne mendime të bukura dhe pozitive të cilat rrezatojnë energji të mrekullueshme të gëzimit dhe lumturisë së përbashkët, besim të bashkuar dhe shpresë për një të nesërme më të mirë, për ardhmëri të ndritur për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjitha gjeneratat e ardhme. Le të jetë kjo energji forca e cila na prin me mençuri nëpër të gjitha sfidat që i sjell çdo ditë e re, çdo çast i ri. Gëzimi dhe paqja që lindin duke i respektuar vlerat universale, respektivisht dashurinë ndaj njerëzimit, respekti i ndërsjellë, solidariteti dhe bashkëndjesia, le të jenë përditshmëri e zakonshme për të gjithë ne dhe motiv për krijimin e bukurive plotësuese dhe bërjen e veprave të mira që gëzimi nga dhurimi i kësaj energjie pozitive të jetë i dyfishuar.

Ju uroj fat, gëzim dhe mirëqenie në shtëpitë tuaja, buzëqeshje në fytyrat e më të afërmve tuaj dhe përparim të përditshëm në fushën personale, që do të rezultojë me përparim kolektiv të vendit dhe të gjithë qytetarëve.

Edhe njëherë, gëzuar festa dhe ditë të bukura festive!”, – thuhet në urimin e Xhaferit.