Nga pesë emrat e propozuar nga Albin Kurti për udhëheqjen e ministrive në kabinetin qeveritar, ndodhet edhe Rozeta Hajdari.
Për dallim nga katër emrat e tjerë – Blerim Reka, Albulena Haxhiu, Besnik Bislimi dhe Arben Vitia – Rozeta Hajdari nuk është figurë e njohur në publik.
Për të propozuarën e Albin Kurtit për ministre të Ekonomisë, Tregtisë dhe Financave, Rozeta Hajdarin, ka pak informacione në internet. Nuk dihet nëse më parë ka punuar në institucionet shtetërore.
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) emri i Rozeta Hajdarit figuron si pronare e një kompanie biznesore.
“R&V Consulting” është firma private, pronare e të cilës figuron të jetë Hajdari. Kjo firmë merret me këshillimin e bizneseve, raporton Insajderi.
Po ashtu, nga të dhënat e saj në rrjetin social LinkedIn, mësohet se ajo punon si koordinatore për Arsimin e Lartë në Austrian Development Agency, një organizatë jo-qeveritare austriake që vepron në Kosovë.
Kryetari i Vetëvendosjes, para takimit me Presidentin Hashim Thaçi për marrjen e mandatit për formimin e Qeverise, edhe një herë i është drejtuar me një video Lidhjes Demokratike të Kosovës, si partner i mundshëm për bashkë qeverisje duke kërkuar nga ta t’i dërgojnë listën e ministrave. /Insajderi.com