Wolves-Sevilla, ç’përplasje anglo-spanjolle, Tualant Xhaka përballë Shakhtarit

Këtë të martë do të luhen edhe dy ndeshjet e mbetura që do të plotësojnë përfundimisht fazën çerekfinale të edicionit të 11-të në Europa League, sfida që do të mbahen në Gjermani, vetëm 26 kilometra larg njëra – tjetrës. Që kur u hodh shorti dhe u përcaktua rrugëtimi i cdo klubi për fazën me eliminim të drejtpërdrejtë të këtij kompeticioni, në pjesën e sipërme ra në sy menjëherë një përplasje e mundshme ndërmjet Seviljes dhe ekipit anglez Wolverhampton Wanderers. Dy ekipet respektuan parashikimet dhe tani do të përballen vërtet ndërmjet tyre, për të siguruar kualifikimin për në katër skuadrat më të mira të këtij aktiviteti.

E dyta përballje anglo – spanjolle e këtij edicioni dhe skuadra e dytë kundërshtare në fazën e knock out-it për “ujqërit” nga vendi iberik, duke marrë në konsideratë duelin me Espanjolin në fazën e 1/16. Ndeshja do të luhet në orën 21:00, në Westfali, në Qytetin e Duisburgut, në stadiumin “MSV-Arena” dhe do të drejtohet nga kryesori italian Daniele Orsato. Është e qartë që Sevilja nuk e ka më forcën e dikurshme, sidoqoftë ekipi andaluz e ka fituar plot 5 herë kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës në 15 vitet e fundit, duke u shndërruar në klubin më të suksesshëm të këtij aktiviteti.

Për të mbërritur deri në këtë fazë, ekipi i drejtuar nga trajneri Julen Lopetegui eliminoi ekipin rumun CFR Cluj, falë rregullit të golit të shënuar në fushën kundërshtare dhe më pas me një sfidë të vetme skuadrën e Romës. Natyrisht Sevilja e nis këtë përballje me petkun e skuadrës favorite, për shkak të eksperiencës, ndërsa “Wolves”, në krahun tjetër, deri 27 muaj më parë luanin akoma në Championship. Mbi të gjitha skuadra andaluze duket se është ambientuar siç duhet dhe është përshtatur më shpejt, duke patur parasysh që sfida me Romën u zhvillua me tek ndeshje në Gjermani, madje pikërisht në “Schauinsland – Reisen – Arena”, siç quhet ndryshe edhe stadiumi i Duisburgut.

Që pas rikthimit në fushë pas ndërprerjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit skuadra e Lopetegui-t nuk njeh humbje, në 12 ndeshjet e zhvilluara që nga mesi i muajit qershor, kur gjithçka startoi me triumfin në derbi ndaj Betisit. Sevilja numëron plot 18 ndeshje pa humbje në të gjithë kompeticionet dhe me kontigjentin e futbollistëve që ka në dispozicion trajneri Lopetegui i ka të gjitha mundësitë për të pretenduar për të shkuar deri në finalen e madhe, që do të mbahet më datë 21 gusht në “RheinEnergieStadion” të Këlnit.

Edicionin e kaluar, nën drejtimin e trajnerit Pablo Machin, Sevilja i dha lamtumirën këtij kompeticioni që në fazën e 1/8, teksa u eliminua në mënyrë të paprituar nga Slavia e Pragës, që pasi barazoi 2-2 në Andaluzi, përmbysi gjithcka në çeki, duke triumfuar 4-3 pas kohës shtesë, falë një goli të shënuar pikërisht në 119’ të takimit.

Në krahun tjetër ekipi i Wolverhamptonit vuan pasojat e një sezoni të gjatë dhe tepër të lodhshëm, që ka filluar që në javën e fundit të korrikut të vitit të shkuar. Wanderers përfaqësojnë një ekip me shumë emër në Ishull, duke patur parasysh që klubi nga West Midlands ka fituar 3 herë titullin kampion në Angli, në një kohë kur Sevilja krenohet thjesht me një të tillë në ligën spanjolle, sidoqoftë “ujqërve” iu mungon eksperienca në nivele të tilla.

Arritjen më të madhe në Kupat e Evropës “Wolves” e kanë pikërisht në Kupën UEFA, në vitin e largët 1972, kur Wolverhamptoni u mund pikërisht në përballjen finale me dy takime nga ekipi tjetër anglez Tottenham Hotspur, që triumfoi me rezultatin e përgjithshëm 3-2, në një finale historike, që përfaqëson edhe edicionin inaugurues të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës.

Në Premier League “Wolves” zhvilluan një sezon të mirë dhe u pozicionuan në vendin e shtatë, në kuotë të njëjtë pikësh me Tottenhamin, por në sajë të golaverazhit inferior Wanderers mbetën jashtë Kupave të Evropës në sezonin e ardhshëm, sepse pak ditë pas mbylljes së kampionatit Arsenali mundi në derbin londinez Chelsea-n, në FA Cup, duke fituar edhe trofeun e fundit në Ishull. Pas Espanjolit “ujqërit” eliminuan Olimpiakosin, duke barazuar 1-1 në Pire, ndërsa në “Molineux” vendasit fituan falë një 11-metërshi të shndëruar në gol nga sulmuesi meksikan Raul Jimenez, goli i 27-të sezonal për 29-vjecarin në të gjithë kompeticionet. Trajneri portugez Nuno Espirito Santo nuk do të ketë të gatshëm spanjollin Jonny Castro, ndërsa Julen Lopeteguit i mungojnë portieri Vaclik, Corchia dhe në dyshim mbetet mesfushori serb Nemanja Gudelj, që javën e kaluar rezultoi pozitiv me Virusin COVID-19.

Dy klubet do të masin forcat për herë të parë në një sfidë të drejtpërdrejtë në Kupat e Evropës, gjithsesi vlen të theksohet fakti që Sevilja është e pathyer në 5 përballjet e fundit me skuadrat angleze.

Çerekfinalja e fundit i përket pjesës së poshtme të shortit dhe do të jetë Shakhtar Donetsk – Basel, ndeshje që do të luhet po në të njëjtën orë në Veltins Arena, apo siç quhet ndryshe “Arena AufSchalke” në qytetin e Gelsenkirshenit dhe do të drejtohet nga kryesori anglez Michael Oliver.

Pasi eliminoi fillimisht Benfikën me rezultatin e përgjithshëm 5-4, klubi i mirënjohur ukrainas kaloi gjithashtu edhe “ujqërit” e Wolfsburgut. Fitorja 2-1 e 12 marsit jashtë fushe u shoqërua me triumfin 3-0 në “Olimpiyskiy” të Kievit, e vulosur në mënyrë tepër të vecantë në minutat 89 – 91 – 93. Në anën tjetër Bazeli paraqitet në çerekfinale pas katër fitoreve radhazi. “Kuqeblutë” eliminuan pa shumë vështirësi me rezultatin e përgjithshëm 4-0 APOEL-in e Nikosisë dhe më pas Eintracht-in e Frankfurtit, që edicionin e kaluar u eliminua në fazën gjysmëfinale vetëm pas gjuajtjes së 11-metërshave, pikërisht nga klubi i Chelsea-t, që ngriti në fund trofeun.

Trajneri portugez i Shaktarit Luis Castro nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin gjeorgjian Davit Khocholava, që u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e fundit, ndërsa trajnerit të klubit helvet, Marcekl Koller, do t’i mungojnë Omlin, Zuffi, Ramires dhe Comert. Klubi nga Donetsku nuk njeh humbje që pas rikthimit nga pandemia, teksa ka fituar 8 nga 10 ndeshjet e luajtura në dy muajt e fundit në të gjithë aktivitetet, ndërsa Bazeli nuk pëson gol prej plot 281’.

Dy klubet nuk përballen në Kupat e Evropës prej 12 vjetësh. Asokohe në fazën e grupeve Shaktari fitoi 5-0 në Donetsk dhe 2-1 në “St.Jakob – Park”, ndërsa në Kupën Intertoto çerek shekulli më parë dy ekipet barazuan në Bazel në fazën e grupeve me rezultatin 2-2.