​William Walker shpallet “Qytetar Nderi” i Vitisë

Kuvendi Komunal i Vitisë në një seancë të jashtëzakonshme sot, ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-ambasadorin e OSBE-së dhe diplomatin amerikan, William Walker. Me këtë rast është zbuluar busti i Walker, si dhe atij i është dhënë “Çelësi i qytetit”.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti duke folur mbi kontributin e Walker, tha se diplomati amerikan ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimet dhe transformimet në Kosovë gjatë periudhës së tij të shërbimit.

Ai tha se një nga kontributet më të rëndësishme ishte monitorimi i situatës në terren dhe raportimi mbi masakrën e 15 janarit 1999 në Reçak.

Ndërsa, ambasadori Walker tha se ndihet i nderuar për respektin që po i bëhet në Kosovë. Ai shtoi se e viziton Kosovën çdo vit, në veçanti Reçakun dhe kompleksin e familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

Walker theksoi se Kosova ka arritur progres të madh të zhvillimit brenda një kohe të shkurtër.

Në ceremoninë e shpalljes “Qytetar nderi” të William Walker, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Ndryshe, më 15 janar 1999, 42 civilë të pafajshëm e të paarmatosur shqiptarë vriten e masakrohen barbarisht nga ushtria serbe në Reçak.

Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Tmerret në Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit serb Sllobodan Millosheviq, që nxiti ndërhyrjen ajrore të NATO-s ndaj forcave ushtarake e policore serbe.