Weber: Nga Serbia pritet ta kuptojë se Kosova është shtet

Presidenti i Partisë Popullore Evropiane (ENP) dhe deputeti i Parlamentit Evropian, Manfred Weber, tha sot se Serbia pritet të përmbushë rekomandimet nga Raporti i Progresit, mbi të gjitha të zgjidhë marrëdhëniet me Prishtinën dhe të kuptojë se Kosova është shtet.

Progres-raporti i javës së kaluar, tha ai për N1, ishte një mesazh i qartë për atë që pritet nga Serbia, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe perspektivës më të gjerë në rajon, për të sqaruar situatën në Kosovë, raporti ndaj Kosovës.

“Për këtë çështje presim mesazhe dhe hapa të qarta nga Serbia, për të kuptuar se Kosova është shtet dhe se si e tillë është pranuar nga shumica e vendeve anëtare të BE-së”, tha Weber, transmeton Klankosova.tv.

Ai tha se ENP është një parti që mbron zgjerimin që do të sillte stabilitet në Bashkimin Evropian të sotëm dhe se ata e shohin zgjerimin nga një kënd gjeopolitik.

“Ka shumë zhgënjim në Ballkanin Perëndimor. Duhet të them se kjo është edhe për shkak të sjelljes së disa anëtarëve të Bashkimit Evropian. Ne duhet ta kapërcejmë atë, duhet t’i kthehemi mënyrës së vjetër të të menduarit kur ia ofruam Bashkimit Evropian 10 anëtarë pas rënies së Murit të Berlinit dhe kjo ishte e mirë për të gjithë. Kjo mënyrë e të menduarit për zgjerimin tani duhet të zbatohet edhe në Ballkanin Perëndimor, Moldavi, Ukrainë dhe vende të tjera”, shtoi ai.